Ish kreu i SHISH Fatos Klosi është shprehur se vrasjet e 4 personave në bulevard në 21 janar 2011 erdhën nga Garda, me urdhër nga lart.

 

Nga studio e Quo Vadis në Vizion Plus, Klosi tha se në protestën e opozitës në atë kohë, mbi turmën u gjuajt me “breshëri” plumbash, por sipas tij problemi deri tani është trajtuar në mënyrë të gabuar.

 

Ish kreu i SHISH është i mendimit se drejtësia duhet të hetojë ata që dhanë urdhrin për të qëlluar dhe jo ata që e zbatuan.

 

“Ajo është një ngjarje shumë e rëndë, që punonjësit e Gardës nuk e bënin dot me nismën e tyre. Aty janë shtënë shumë plumba, unë kam qenë atje dhe binin degët e pishave. Kam qenë në një dyqan orësh dhe më thanë hajdy futu brenda. Ata që mbajnë armë, i mbajnë për ti përdorur kur u rrezikohet jeta e tyre. Unë e pash nga çasti kur erdhi makina e ujit, e deri kur u  bë një bastisje e kafeve tek kullat, kam qenë aty  kur u vranë njerëzit, po mbaronte .

 

Problemi është trajtuar fare keq. Po përpiqen të gjejnë ata që shkrepën armët. Këtu ka një gjë shumë më të madhe. Kush u tha atyre të gjuajnë mbi njerëzit që nuk kishte asnjë shans të bëhej grusht shteti. Të gjithë ata që bëjnë dëme, përpiqen të fshihen sipas procedurave. Është shtënë mbi njerëz që nuk përbënin rrezik për askënd. Ka ndodhur një gjëmë dhe për 12 vjet sistemi ynë i drejtësisë është engledisur kush gjuajti e kush jo, është arma e këtij e kemi çuar në Itali. Është faj të zbatosh urdhra të gabuara. Të japësh urdhër të gjuash mbi turmën është jashtëzakonisht e rëndë”, tha Klosi në Vizion Plus.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re