Shkrimtari i madh shqiptar, Fatos Kongoli,  ishte i ftuari i parë për vitin 2024 në “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj në Vizion Plus.

Kongoli ka dhënë një intervistë të gjatë, ku ka rrëfyer jetën e tij përmes librave, por dhe dashurinë e madhe për bashkëshorten.

Pjesë nga biseda:

Pranvera Borakaj: Është e vështirë për një shkrimtar që ta përmbledhë jetën prej tetë dekadash, për ta përshkruar me pak fjalë?

Fatos Kongoli: Jeta ime ka qenë shumë e pasur me ngjarje, shumë interesante në këtë pikëpamje. Domethënë kur e mendoj jetën time më duket ka qenë si e rregulluar me dorë, si vepër filmike.

Pranvera Borakaj: Disa nga veprat tuaja, në mos gaboj dy, njëra duhet të jetë në proces për tu realizuar si film?

Fatos Kongoli: Një roman është bërë film, “Bolero në vilën e pleqëve”, ajo është bërë film. Ka një dëshirë, kam një roman “Lëkura e qenit”, e kam bërë edhe kontratën, por varet.

Pranvera Borakaj: Një roman i përkthyer disa herë, një dedikim për bashkëshorten, për Lilin, do kishit dëshirë ta shihnit të realizuar në film këtë roman?

Fatos Kongoli: Po sigurisht, jo vetëm këtë roman, por çdo libër tjetër do të kisha qejf ta shihja se si e sheh regjisori. Është shumë interesante të shohësh se si një sy tjetër e shef.

Pranvera Borakaj: Do kishit preferenca për aktorët?

Fatos Kongoli: Të gjithë aktorët që kanë luajtur te “Vila e Pleqëve” kanë qenë të mrekullueshëm të gjithë, të zgjedhur nga regjisori me shumë mjeshtëri. Unë i jam mirënjohës regjisorit dhe aktorëve që kanë luajtur në atë film.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re