Fatos Lubonja e shikon si një test për mënyrën si bën politikë kryeministri Edi Rama çështjen e Teatrit Kombëtar. Në studion e News 24, në rubrikën “Opinion”, Lubonja tha se po shkatërrohet trashëgimia kulturore për të ngritur kulla. Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratave të ambasadorit të BE Luigi Soreca.

“Teatri dhe mënyra e veprimit me Teatrin nga ana e qeverisë duhet parë edhe më gjerë si një test për mënyrat e qeverisjes së Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Lexova sot dhe një prononcim të Sorecës që e reduktonte çështjen në thjesht procedura tenderësh dhe thoshte është politizuar shumë. Unë mendoj që pikërisht politizimi është i rëndësishëm. Çdo gjë është politikë dhe ne bëjmë politikë. Edhe ata aktorë që rezistojnë bëjnë politikë dhe ata të tjerët, dhe opozita dhe Edi Rama bën politikë. Problemi është se për çfarë politikash bëhet fjalë dhe si bëhen këto politika.

Teatri i parë si test i mënyrës se si bën politikë Edi Rama me Erion Veliajn, është një test që e nxjerr në një dritë shumë të errët. Do doja t’i jepja një përgjigje Sorecës, padyshim është politikë por ju për çfarë jeni aty në qoftë se jeni? Nuk vëreni ju çuditërisht që ky njeriu në krye të Kryeministrisë bëri një ligj të posaçëm dhe nuk flet kjo për mënyrën se si bëhen ligjet ‘ad personam’ në përgjithësi. A nuk vërejnë këta se si u hoq mënjanë nëpërmjet këtij ligji dhe këshilli bashkiak? A është një tregues se si demokracia degradon në funksion të pushteteve të disa personave?

Këta shikojnë që ka një president që bën 7-8 pika të arsyetuara? Teatri është një test…nuk po flas për shkatërrimin e monumenteve të kulturës, shkatërrohet trashëgimia jonë kulturore për të ngritur disa kulla. Këta nuk i shikojnë dhe thonë se kjo u bë lufta Basha-Rama. Duhet të shikojnë se tek e fundit janë këta që thonë i ka plotësuar ose jo standardet Shqipëria. Këtu ka një problem ose janë të korruptuar, ose të paditur, të painformuar dhe e treta le të mos merren me punët e shqiptarëve”, deklaroi Lubonja.

Ai theksoi se kjo nuk është çështje artistësh dhe se vlera e një qyteti është tek shtresëzimi historik i tij.

Për Lubonjën, amortizimi i Teatrit është forma që ka gjetur Rama për të mashtruar

“Tirana nuk ka nevojë për një teatër, ka nevojë për 10. E kanë lënë të parestauruar. Amortizimi është forma që ka gjetur Rama për të mashtruar. Shiko si e ka bërë në krahun tjetër, i ka dhënë një pamje normale.

Supozojmë që duhet shkatërruar po ato 6 kulla nga mbrapa për çfarë duhen? Trashëgimia nuk vlerësohet pikërisht nga e gjithë kjo propagandë mashtruese”, deklaroi Lubonja.

Ambasadori Soreca ndërkohë është sulmuar dhe nga aktorët dhe aktivistët e PD-së, të cilët kanë krijuar atë që quhet Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Sulmi vjen pas deklaratave të sotme të ambasadorit Soreca.

Reagimi i plotë i aktorëve dhe aktivistëve të PD:

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideron të pajustifikuar, të panevojshme dhe të dëmshme deklaratën e sotme të Ambasadorit të BE-së, z. Luigi Soreca. Deklarata nënkupton mbështetje për një procedurë të paligjshme dhe korruptive për rrëmbimin nga ndërtues privatë të një trualli publik në një nga zonat më të lakmuar të Shqipërisë.

Fatkeqësisht, Ambasadori Soreca është përpjekur t’i japë legjitimitet një tenderi fiktiv, me fitues të paracaktuar, për një zhvillim privat që do të financohet nga para me origjinë të dyshimtë. Pohimet e Ambasadorit Soreca janë jashtë kompetencës së tij dhe përtej statusit të tij diplomatik. Por mbi të gjitha, ato bien ndesh me interesin publik, shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë, për fuqizimin e të cilave taksapaguesit evropianë kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë qindra milionë euro.

“Ligji special” i teatrit shkel Konventën Aarhus për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendim-marrjen; shkel parimet kushtetuese të autonomisë lokale dhe të barazisë para ligjit; si dhe ligjet e prokurimit publik dhe të konkurrencës. Ligji është apeluar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti, por mungesa e saj i ka dhënë pushtet absolut qeverisë të miratojë dhe zbatojë ligje antikushtetuese pa asnjë kontroll apo kufizim institucional.

Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë kanë luajtur rol kryesor në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndaj do të ishte e pritshme nga Ambasadori Soreca t’i bënte, sot, thirrje qeverisë që të ndalonte zbatimin e projektit të Teatrit deri në shqyrtimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Do kishte qenë gjithashtu shenjë e përunjësisë dhe përgjegjësisë së Ambasadorit ndaj shqiptarëve që ai të përpiqej të kufizonte sa të mundej pushtetin arbitrar që ka fituar Kryeministri, si pasojë e paralizimit të sistemit gjyqësor.

Reforma në Drejtësi ishte e domosdoshme dhe me qëllimet e duhura, por për shkak të keqplanifikimit dhe keqzbatimit të saj ne ndeshemi sot më rrënimin thuajse total të sistemit gjyqësor, e cila ka krijuar edhe çështje si ajo e Teatrit Kombëtar.

Fatkeqësisht, Ambasadori ka zgjedhur të rreshtohet në krah të Edi Ramës e Shkëlqim Fushës, dhe kundër artistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të ndershëm të Tiranës dhe Shqipërisë.

Na mbetet të urojmë që ky rreshtim i tillë të mos jetë asgjë tjetër veç një gjykim i dobët i Ambasadorit, dhe i bëjmë thirrje atij që të rimendojë pozicionin bazuar vetëm në fakte dhe në vlerat demokratike që ai duhet të përfaqësojë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re