Bashën do ta braktisin dhe po izolohet nga uragani “Berisha”, ky është paralajmërimi që dha ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa.

I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Tarifa u shpreh se njerëzit e Bashës po largohen një nga një.

“Siç ka nisur kjo lëvizje, fundi i së cilës nuk mund të parashikohet dot sot, duket se rrethi i z.Basha dhe ata që e ndjekin, pasuesit e tij po rrallohen nga një lëvizje popullore, që mua nuk më pëlqen për nga natyra e saj, e inicuar nga Sali Berisha.

Z.Basha po ndjehet gjithmonë e më shumë i izoluar duke pasur rreth vetes vetëm disa prej njerëzve me pozitë drejtuese në PD, por që janë të zgjedhurit e tij. Disa prej tyre e kanë braktisur dhe disa do ta braksin. Dhe ky izolim i plotë në këtë uragan si Berisha.”

Për ish-ambasadorin, ish-kryeministri Berisha mund t’ja marrë partinë kryedemokratit Basha pasi është më i fortë se ky i fundit.

“Besoj se ndarja është e paevitueshme, ndarja ka ndodhur. Një grup njerëzish në nivele drejtuese të PD-së, janë që të vazhdohet me Lulzim Bashën. Ndërsa, pjesa më e madhe e elektoratit të djathtë duket se po ndjek Sali Berishën. Do të thotë se Berisha duket se po e merr partinë, dhe në qoftë se ky është qëllimi i tij, ai do e realizojë.

Dhe të tjerë do i bashkangjiten Berishës, sepse ai është më i fortë, ai është realisht më i fortë. Ai është në faj, në faj më të rëndë. Basha është një lider i dobët, nuk arriti asnjëherë të bëhet një lider i vërtetë i PD-së, jo vetëm brenda Partisë, por edhe në garën e saj, në kontestimin që do i bënte PS-së.

Në këtë kuptim, po, do të krijohen dy parti. Basha do të jetë në gjendje të mbajë një pjesë të PD-së, ose të krijojë një fraksion si një parti të re, kjo mbetet për tu parë.”

Sa i përket vendimit për përjashtimin e Berishës, ish-ambasadori tha se beson se Basha ka qenë i detyruar. Por, duke bindur amerikanët, po humbet partinë, sipas diplomatit.

“Lulzim Basha ka qenë i detyruar, patjetër, që ta bëjë atë akt që bëri. E përjashtoi atë nga grupi parlamentar nën presion. Këtë mund ta diskutojmë, është i moralshëm apo jo.

Por ai, në atë moment, shumë vendimtar, mendoi ‘unë, të paktën jam i larë me amerikanët, bëra siç më kërkuan’, por po humbet partinë. Jo për faj të tij në këtë rast, ai mund ta humbasë, se se ka drejtuar siç duhet, se ka çuar ndonjëherë në fitore, por sepse Berisha ka filluar këtë lëvizje, që ka vetëm një synim ‘të shpëtojë kokën e vet’.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re