Shpenzimet procedurale janë një faturë e lartë për shtetin shqiptarë përgjatë hetimit të veprave penale, ndërsa prokurori Olsian Çela me anë të një udhëzimi u kërkon vartësve të tij të unifikojnë tarifat e shpenzimeve dhe të menaxhojnë shpenzimet.

Shefi i organit të akuzës Çela për herë të parë kërkon që prokurorët të vënë sekuestro preventive gjatë fazës hetimore llogaritë bankare dhe pasuritë e personave të cilët janë në hetim ose statusin e të pandehurit.

Sipas nenit 31 të udhëzimit firmosur nga kryeprokurori Olsian Çela kërkohet nga vartësit e tij të aplikojë sekuestrot për personat, të cilët vihen në hetim apo të pandehur.

“Për të garantuar pagimin e shpenzimeve procedurale, prokurori për secilin procedim/ çështje që ka në ndjekje vlerëson kushtet /kriteret ligjore dhe i kërkon gjykatës vendosjen e sekuestros konservative në pasurinë e të pandehurit/ personit  nën hetim dhe të paditurit civil në procesin penal për të garantuar që në fazën e hetimeve paraprake  pagimin e shpenzimeve proceduriale të parapaguara nga shteti” thuhet në këtë udhëzim.

Po ashtu Prokurori i Përgjithshëm kërkon nga vartësit e tij të jenë menaxhues të aseteve financiare edhe në përzgjedhjen e ekspertëve, përkthyesve për cështjet të cilat ata kanë në hetim.

Një tjetër detaj është edhe pagesa, e cila jepet për zyrtarët ku dieta për fjetje nuk duhet të jetë më e lartë se 3000 lekë dhe në rast se banon 100 km larg vendit ku do të kryhet shërbimi përfshi dhe ekspertizën jo më tepër se 2500 lekë dietë ditore dhe transporti me biletën tatimore.

Po ashtu Çela kërkon nga vartësit e tij për cdo çështje që dërgojnë në gjykatë pas përfundimit të hetimit ta shoqërojnë me pasqyrën financiare të shpenzimeve, dhe ti kërkojnë gjykatës të marrë vendim që pagesa të kryhet nga personi i hetuar nëse gjendet fajtor.

Sipas përpiluesve të këtij udhëzimi rezulton se shpenzimet më të lartë rezultojnë se janë analizat e ADN-s ato autoteknike, dhe shërbimet e përkthimit dhe noterialet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re