4 vjet Fax News! 30 Shtatori është një datë e shënuar jo vetëm për televizionin Fax News, por për të gjithë median shqiptare, të cilës iu shtua edhe një dritare e re, larg censurës e pranë qytetarit të thjeshtë që sheh vetëm dyer që i mbyllen.

Fax News në këtë 4-vjetor të futjes në tregun mediatik, ka një mungesë të madhe, atë të ideatorit dhe themeluesit, presidentit Kasem Hysenbelli, i cili investoi të gjitha energjitë e tij në krijimin e një medieje të pavarur, larg ndikimeve politike dhe gazetarisë së ‘qokave’.

Me një staf të ngushtë, besnik e të palodhur, ai arriti të krijonte identitetin e medias që sot ndiqet nga të gjithë shqiptarët, e ku familja Hysenbelli çon përpara misionin e lënë prej tij, atë të së ”vërtetës të hidhur”.

4 vite në të cilat Fax News u bë zëri i protestave, zëri i qytetarëve të mbetur pa strehë, i banorëve të prekur nga tërmeti, i njerëzve të sëmurë dhe të gjunjëzuar nga pandemia. Shumë raste janë ndjekur, shumë histori qytetarësh, që përmes ekranit të Fax News kanë ‘bërtitur’ problemin e tyre, duke mos lënë askënd të përjashtuar, askënd të papërkrahur.

Është ekrani ku prej 4 vitesh kanë gjetur vendin shoqëria civile, politikanët, aktivistët e qytetarët që duan dhe duhet të thonë fjalën e tyre në një kohë kur tregu mediatik është bërë gjithnjë e më i rrëmujshëm, selektiv dhe gjithnjë e më shumë nën influencën e politikës.

Duke falënderuar të gjithë ndjekësit që na qëndrojnë besnik në këto katër vite, Fax News premton që do të vazhdojë të jetë zëri i tyre, dritarja ku ata do të mund të shprehin të gjitha shqetësimet e këndvështrimet.

Pa u lodhur në krah të qytetarit të thjeshtë, të vërtetës, e përballë të keqes e mbi të gjitha ashtu siç nisi: Me dëshirë për të bërë ndryshimin!

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re