Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) ka ndarë dokumentet e saj për atentatin e planifikuar kundër Mbretëreshës Elizabeth II të Britanisë gjatë vizitës së saj në SHBA në vitin 1983.

Sipas lajmit të BBC-së, në dokumentet që FBI-ja publikoi përfshihen informacionet dhe detajet lidhur me planet e atentatit të mundshëm gjatë udhëtimit që mbretëresha zhvilloi në SHBA.

Në dokumente thuhet se mbretëresha e percepton si rrezik Ushtrinë e Republikës së Irlandës (IRA) dhe se për këtë çështje ka paralajmëruar agjentët federalë kundër mundësisë së atentatit.

“Mbretëresha Elizabeth II dhe bashkëshorti i saj, Princi Philip, janë paralajmëruar rreth një muaj para vizitës për çështjen e atentatit”, theksohet në dokumente ku paraqiten raporte të inteligjencës se një person në barin irlandez në San Francisco kërkon të “hakmerret për vajzën e tij të vrarë”.

Po ashtu thuhet se i dyshuari kishte planifikuar që ti shkaktonte dëme mbretëreshës gjatë kalimit të saj në urën Golden Gate ose gjatë vizitës në Parkun Kombëtar Yosemite.

Pas kërcënimeve, thuhet në dokumente, autoritetet bllokuan kalimin e këmbësorëve në Golden Gate, por nuk ka informacione lidhur me masat e marra në Parkun Kombëtar Yosemite.

Ndër të tjera, në dokumente theksohet se shumica e vizitave të mbretëreshës në SHBA përkojnë me periudhat e tensionuara mes Irlandës së Veriut dhe Britanisë dhe paraqiten pamje të banderolës me mbishkrimin “Britani, dil nga Irlanda” në avionin protestues që fluturoi mbi Parkun Battery gjatë vizitës në vitin 1976.

Dokumenti prej 102 faqesh u publikua këtë javë në faqen e internetit të FBI-së me kërkesë të medias në kuadër të Ligjit për Lirinë e Sigurimit të Informacionit në SHBA.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re