Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) dënoi sot vrasjen e gazetares veterane të Al Jazeera-s ndërsa mbulonte bastisjen ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Shireen Abu Akleh, 51-vjeç, u qëllua për vdekje teksa mbulonte bastisjen izraelite në qytetin Jenin sot në mëngjes. Gazetar tjetër, Ali Al-Samoudi, u qëllua pas shpine, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

“Ndërsa detajet e plota të kësaj vrasjeje të tmerrshme vazhdojnë të dalin, dëshmitë e gazetarëve që ishin me të kur ajo u vra, tregojnë se ky ishte një tjetër shënjestrim i qëllimshëm dhe sistematik i një gazetari”, shkroi IFJ në Twitter.

Federata me bazë në Bruksel shtoi se gazetarët, të veshur me jelekë antiplumb të identifikuar qartë, ishin në shënjestër të snajperëve izraelitë.

“Ne do të kërkojmë ta shtojmë këtë rast në ankesën e GJNP-së të paraqitur nga IFJ, duke detajuar një synim të tillë sistematik”, shtohet në reagim.

“Nëse ne kërkojmë drejtësi për shënjestrimin e gazetarëve ukrainas nga Rusia, ne duhet të kërkojmë fundin dhe drejtësinë për shënjestrimin dhe vrasjet izraelite të gazetarëve palestinezë”, tha IFJ.

Sot, kanali Al Jazeera me bazë në Doha akuzoi forcat izraelite për vrasjen e qëllimshme të gazetares të tyre “me gjakftohtësi”.

Al Jazeera e quajti vrasjen “krim të urryer e cila qëllim të vetëm ka të pengojë mediat të kryejnë detyrën e tyre”.

Shireen Abu Akleh ka lindur në Kuds në vitin 1971 dhe ishte diplomuar për degën Gazetari dhe Media në Universitetin Yarmouk në Jordani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re