Vrasja e Pëllumb Metës në Shënavalsh të Durrësit nga fëmijët e tij dhe groposja brenda rrethimit të banesës është një ngjarje e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik, por shkaku real mbetet ende mister.

Sipas dëshmive të fëmijëve të familjes, shkak është bërë sjellja e padurueshme e babait dhe fejesa pa dëshirë që do t’i bënin 19-vjeçares Hygerta me një djalë nga zona.

Por, një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga babai i djalit me të cilin thuhet se viktima do të fejonte të bijën.

Sipas tij, Pëllumbi nuk ishte problematik sikurse pretendojnë fëmijët. Ai shprehet për TCH se e nxirrte shpesh familjen për dreka dhe së fundmi kishte vendosur t’i blinte një makinë Hygertës, që të mund të shkonte në shkollë.

 “Ai po të kishte vendosur ta fejonte pa dëshirë e kishte bërë dhe i thoshte do të fejohesh dhe mos shko në shkollë, por jo. Ne as nuk e dinim këtë gjë deri në momentin kur erdhi policia e pyeti. I kishte shkuar ndërmend nuses për djalin tjetër që kam në Itali. Ndaj ky si shkak për ta vrarë nuk ekziston, po dhe ai për dhunë nuk më bind. Ai i nxirrte shpesh për dreka jashtë, në lokale, fëmijët dhe gruan. I merrte me makinë. Para ca kohësh ishte i gëzuar se e bija i kishte dhënë makinës së tij nga Kruja deri në shtëpi dhe po mendonte t’i blinte një makinë që të shkonte e vinte nga shkolla. Madje dhe e kishte porositur te pronari i makinave ku punonte. Kështu më pat thënë”, tha babai i djalit.

Për këtë ngjaje ka folur dhe Xheni, vajza që ka ndërhyrë për krijuar krushqi mes dy familjeve. Ajo u shpreh se kishte takuar Pëllumb Metën dhe ia kishte shprehur se dëshironte që vajza e tij të njihej me kunatin e saj (vëllain e burrit), por 50-vjeçari e kishte refuzuar një gjë të tillë, duke thënë se vajza e tij ishte në shkollë.

“Ai e kishte dritën e syve. Bënte gjithçka për të. I donte fëmijët e tij, familjen. Çdo ditë e dërgonte me makinën e vet vajzën deri në Durrës që të merrte autobusin e të shkonte në Tiranë se ishte studente e gjuhëve të huaja.  Duke e njohur e krijuar respekt për të, se vinte çdo ditë tek lokali, rreth 4 muaj më parë, i thashë për kunatin tim që jeton në Itali, por më tha që vajza kishte filluar shkollën për gjuhët e huaja në Tiranë dhe s’bëhej ajo punë. Nuk e mendonin fejesën. Megjithatë nuk ma preu shkurt, po më tha: ‘Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan.’ Shkova dhe më priti shumë mirë, më qerasi, por dhe ajo më tha të njëjtën gjë dhe u mbyll ajo punë. Kaq qe”, është shprehur Xheni.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re