Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat, është shprehur se aktet e sotme që kaluan në Kuvend nuk mund të konsiderohen të miratuara ligjërisht sepse nuk kishin kuorumin.

Bardhi u ndal te ligji i Investimeve Strategjike për të cilin tha se Felaj nxitoi ta votonte edhe pse nuk kishin kuorum. Ndër të tjera, ai e cilësoi drejtuesen e seancës, përfaqësuese të oligarkëve, duke theksuar se këta të fundit janë ata që do të përfitojnë nga ky ligj.

“Besoj se edhe sot e patë që në një seancë, që edhe sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim, nuk e ndali vrullin e drejtueses së seancës për të votuar ligjin e Investimeve Strategjike që është në interes të një grupi të caktuar.

Sot në drejtimin e seancës nuk ishte Ermonela Felaj, por ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ky ligj dhe po ashtu 3 grupeve kriminale.

Për PD është e rëndësishme që parlamentit t’i kthehet Kushtetutës dhe Rregullores. Dua të deklaroj me përgjegjësi të plotë, se sipas rregullores, sot asnjë nga aktet ligjore, nuk mund të konsiderohen të miratuar ligjërisht.

Sipas rregullores së Kuvendit dhe Jurisprudencës të GJK, thuhet se për efekt të kuorumi llogariten vetëm deputetët që kanë marrë pjesë në proces të votimit. Në votim morën 68 deputetë, rregulloja e thotë se duhet të jenë 71 deputetë.

Kur dhunojnë rregulloren e Kuvendit, imagjinoni çfarë mund të bëjnë me paratë e buxhetit”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re