Një zjarr përfshiu një banesë në Ferizaj të Kosovës. Ngjarja u regjistrua pasditen e djeshme e si pasojë e flakëve, një 3 vjeçar mori lëndime serioze në trup.

Këtë të dielë, media e Kosovës është interesuar mbi gjendjen shëndetësore të të miturit. Fëmija ndodhet aktualisht në spitalin e Prishtinës, ndërsa mjeku Naser Syla ka shpjeguar se 3 vjeçari ka djegie në mbi 75% të trupit e se gjendja e tij shëndetësore është e vështirë.

“Një fëmijë 3 vjeçar  është lënduar nga zjarri, ka djegie mbi 75 përqind të sipërfaqes së trupit, gjendja është me të vërtetë alarmante dhe e trishtuar. E sollën spitali i Ferizajit, tek ne u trajtua sipas protokolëve të djegies, nga Kirurgu Plastik, pastaj është transferuar në Mjekim Intensiv, për vazhdim të kujdesit të mëtejshëm. Për fat të keq, gjendja e fëmijës është shumë serioze, që ja rrezikon jetën në maksimum”, u shpreh mjeku për KlanKosova

Zjarri ra rreth orës 17:00 ndërsa fëmija ndodhej në njërën prej dhomave të banesës, siç raportuan autoritetet.

“Është raportuar se pasi zjarri ka kapluar një shtëpi aty brenda në një dhomë ishte një fëmijë tre vjeç i lënduar nga tymi dhe flaka. Fëmiu i lënduar është dërguar në QKUK-Prishtinë për tretman mjekësor. Rasti nën hetime. Nuk dihen shkaqet që kanë çuar deri te incidenti me zjarr.”-njoftoi policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re