Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Evis Kushi, ka reaguar në lidhje me pjesëmarrjen e fëmijëve të shkollës 9-vjeçare “Rexhë Deliu” në protestën që po zhvillohet në afërsi të fshatit Rinas.  Kushi shprehet se e mbështet të drejtën për të protestuar por iu ka bërë thirrje prindëve të mos i privojnë fëmijët nga e drejta për arsim.

Statusi i plotë i ministres Kushi:

Jam njoftuar sot nga strukturat tona arsimore në shkollën 9-vjeçare “Rexhë Deliu” në Rinas që pjesa më e madhe e prindërve nuk i kanë sjellë sot fëmijët e tyre në mësim.

Të dashur prindër, duke vlerësuar të drejtën për të protestuar të çdo qytetari në një shoqëri demokratike, ju lutem që të mos i privoni fëmijët nga e drejta e tyre themelore për arsimim. Çdo orë mësimi ka vlerë për fëmijët tanë, prandaj duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj kam besim që nesër mësimi do të vijojë normalisht edhe në këtë shkollë.

Prej disa ditësh banorët e fshatrave në afërsi të aksit Kashar-Rinas po zhvillojnë protestë për vendimin e Autoritetit Rrugor Shqipëtar për ndryshimin e srejtimit të lëvizjes së automjeteve në këtë aks.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re