Monika Kryemadhi dhe Ada Demiri, e bija e ish-prokurorit Skënder Demiri i arrestuar nga SPAK

Fëmijët e të paktën pesë ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kandidojnë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, për t’u bërë pjesë e Parlamentit të ardhshëm.

Disa ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shfaq në shtëpinë e Ada Demirit, në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë, ku e prezantoi si kandidate për deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Dua ta falënderoj Adën, e cila pranoi që të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha Kryemadhi.

Kandidatja e LSI-së është e bija e ish-prokurorit Skënder Demiri, i cili u arrestua në shtator të 2020 sa bashku me gjyqtaren Mimoza Margjeka, me urdhër të SPAK, për një rast të dyshuar korrupsioni në drejtësi. Demiri u la më pas në arrest shtëpie.

Në janar të këtij viti, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, prezantoi Aldi Fushën si kandidat për deputet të LSI-së në njësinë numër 2 në Tiranë, raporton Report TV.

Aldi Fusha është djali i ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha, i cili u largua nga drejtësia në shkurt të vitit 2019 nga frika e Vetingut, sapo Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dërgoi dosjen e verifikimit dhe i kërkoi të justifikonte pasurinë.

Partia Demokratike ka përfshirë në listën e pretendentëve për kandidat për deputetë në Durrës, Enri Çenon, djalin i ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Petrit Çeno, i dënuar për korrupsion dhe i shkarkuar nga Vetingu për mashtrim, fshehje dhe mosjustifikim të pasurisë.

Partia Demokratike tentoi të përfshinte në listë edhe ish-gjyqtarin Gjin Gjoni, por u tërhoq pas një mesazhi të fortë të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re