Fenomeni i lojërave të rrezikshme apo video- sfidave në rrjetet sociale është kthyer në një fenomen shqetësues globalisht, përfshi këtu edhe në Shqipëri e Kosovë.

Në 6 muajt e fundit në Shqipëri janë regjistruar të paktën dy raste të vdekjeve që lidhen direkt apo indirekt, si pasojë e lojërave/sfidave në rrjetin social. Rasti i fundit në Lushnje dhe një tjetër në Shkodër disa muaj më parë, janë ndodhi tragjike, që lypsin nevojën për të rritur vigjilencën ndaj këtyre fenomeneve negative në shoqërinë shqiptare

Sipas profesorit të kriminologjisë Ervin Karamuço, në Shqipëri kanë mbërritur tashmë disa sfida të rrezikshme. Ai tha se janë identifikuar të paktën 10 ‘sfida’ të tilla që mund të sjellin pasoja të rënda, deri në humbje të jetës. Karamuço shtoi se prindërit duhet të jenë më vigjilent në kontrollin e celularëve të fëmijëve dhe se është e udhës që të instalojnë aplikacione që bëjnë të mundur kontrollin prindëror të rrjeteve sociale apo aplikacioneve të tjera.

“Këto janë krime që nuk janë parashikuar në kodin tonë penal. Edhe organet që duhet të jenë në avantgardë të kësaj, janë në padijeni totale. Ne kemi një sektor të krimeve kibernetike që jep ndonjëherë mesazhe për kujdes, por ka ardhur koha që kujdesin ta materializojmë.

Këto vite kemi 500 të vdekur në rang global nga këto lojëra, të përllogaritura në 5 vitet e fundit. Tik Tok-u ka një veçori, është shkarkuar 2 miliardë herë, do të thotë ka një ndikim të jashtëzakonshëm.

Kemi identifikuar 10 sfidat më të rrezikshme për fëmijët. Ka patur një rast në Itali, një vajzë 10 vjeçe e cila u mbyt. U mbyt me një rrip e ndërkohë po filmonte veten. Quhet ‘black-out challenge” (Sfida e mbytjes). Garojnë me njëri tjetrin… ndodh fillimisht humbja e ndërgjegjes, dëmtimi në tru e deri tek humbja e jetës… sistemi propagandon se  kush humb ndërgjegjen, e sheh ëndrra, kur rikthehet ndjen adrenalinë të madhe, pra tek këto lojëra ka nxitje kriminale.

Është shumë e rëndësishme që të sensibilizojmë prindërit. Prindërit ne i kemi neglizhentë totale, më vjen keq ta them se jam prind vetë, jepi celularin fëmijës, futu nga dhoma se jam i lodhur. 8 orë fëmija atje, ti s’kupton se çfarë po bën dhe kur hap derën më pas e gjen të varur e thua si ka mundësi.

Ky është ndikimi. Unë nuk dua të kriminalizoj të gjitha rrjetet sociale, por tendenca e këtyre garave është bërë problem.

Psh, “Charlie Charlie”, gjasme këta thërresin demonët. Vënë një laps mbi tjetrin e pyesin a je këtu Çarli. Pra kjo sjell shfaqje të problemeve të stresit, depresionit. Janë hedhur njerëzit nga dritarja nga frika e madhe, se ka lëvizur lapsi.

Ne kemi një projekt të kodit penal e këto despozita për këto lloj krimesh nuk janë të përfshira. Është rasti për të thënë se duhen përfshirë. Shoqëria ka vite që është sulmuar nga disa rituale të tilla, qoftë ato okulte e qoftë edhe këto që vijnë si pasojë e sfidave në rrjetet sociale.

Duhet thënë, ka një padijeni, për të mos thënë një injorancë për këto aspekte. Të kuptojmë se ka “sfida” të bardha e të zeza. Rrjeti është komunikim, interaktivitet. Duhen ndriçuar mendjet e prindërve… se ne kemi 2 psikologë për 3 shkolla, kemi më shumë policë e ushtarë sesa psikologë. Ata janë vija e parë e mbrojtjes së fëmijëve, psikologët, mjeku i shërbimit parësor...”-tregoi profesori në një emision në Abcnews.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re