25 Maji është dita ndërkombëtare e fëmijëve të zhdukur. Kjo ka bërë që edhe Policia të përçojë mesazhe në këtë ditë, duke ndërgjegjësuar ata që abuzojnë me të miturit, apo kanë gisht në zhdukjen e tyre për arsye nga më të ndryshmet.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, Polica e Shtetit i bashkëngjitet fushatës sensibilizuese “Don’tBeAnEasyCatch” (mos u bëj pre e lehtë), organizuar nga Qendra për Luftën kundër Krimit Kibernetik në Europol. Videoja e animuar ka si synim të sensibilizojë fëmijët mbi moshën 10 vjeç që përdorin internetin.

Policia, bën thirrje për kujdes, ndërsa kërkon që jo çdokush që u kontakton nëpërmjet internetit është ashtu siç ju prezantohet! Policia bën apel për të mos ndarë të dhënat personale dhe fotografitë me persona të panjohur! Policia dyshon se rastet e fëmijëve të zhdukur paraqesin një vështirësi të madhe në hetim, pasi rrjetet mafioze veprojnë në shumë shtete.

Por, rastet e zhdukjes së fëmijëve janë të shumta dhe shifrat të frikshme. Julian Çela, i zhdukur që prej 30 nëntorit të vitit 2012, është parë për herë të fundit në një qendër interneti, e cila pas ngjarjes është mbyllur. Sipas dëshmive të banorëve, 11-vjeçari ka dalë jashtë qendrës së internetit, pasi e ka kërkuar dikush dhe që atëherë nuk është kthyer më kurrë.

8 vite kanë kaluar dhe fati i Julianit ende nuk dihet. Më 16 korrik numërohen 9 vite për humbjen e një tjetër 14-vjeçari, Marteo Bejajt. Marteo humbi kontaktet me familjarët në një ditë të zakonshme, teksa kishte dalë të luante me shokët. I fundit që e ka parë duke shkuar në drejtim të shtëpisë ka qenë një 25-vjeçar, por që nga ajo ditë, asnjë pistë e re nuk është gjetur.

“Asnjëherë nuk e mendoja që kjo dhimbje do të zgjaste 9 vite. Çështja ka qenë në Policinë e Vlorës dhe u transferua më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. E kemi kërkuar pa reshtur, pa pushim, por fatkeqësisht përballemi me indiferencën e strukturave të shtetit tonë”, thotë Fabiola Bejaj, motra e Marteos.

Çdo tre ditë një fëmijë raportohet i humbur në Shqipëri. Formimi i një zinxhiri njerëzor nga Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur, përballë Kryeministrisë, i kujtoi qeverisë përgjegjësinë për të kthyer pranë familjeve të tyre fëmijët e humbur.

“Në tre vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit janë 365 fëmijë të humbur, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem. Ndërkohë që 353 prej tyre janë rikthyer pranë familjeve, 12 janë ende të humbur.

Rreth 120 fëmijë raportohen çdo vit në Shqipëri të humbur dhe të zhdukur prej familjeve të tyre.  Çdo ditë një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga shtëpia. Këto shifra janë një këmbanë alarmi, jo vetëm për prindërit por mbi të gjitha për institucionet shtetërore, publike dhe shoqërinë tonë.

Çdo ditë në botë humbasin rreth 22.000 fëmijë apo 8 milion fëmijë në vit. 1 në 7 fëmijë të humbur ka më tëpër gjasa që të bëhët viktimë e trafikimit dhe shfrytëzimit.

30% e viktimave të trafikut ndërkombëtar të fëmijëve janë me origjinë nga vendet e Europës Juglindore. ALO 116-Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë raporton se çdo ditë një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga shtëpia në Shqipëri. Arratisja apo largimi nga shtëpia e fëmijëve dhe adoleshentëve nga disa orë në disa ditë është forma më e përhapur e manifestimit të refuzimit që fëmijët në Shqipëri i bëjnë situatave familjare, dhunës, abuzimit dhe neglizhimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko