Gjykata e Athinës në Greqi ka dënuar me 8 vite burg një nënë me origjinë shqiptare, nën akuzën e trajtimit çnjerëzor të tre fëmijëve të saj të mitur, 2, 3 e 6 vjeçar.

Ngjarja u bë publike pak ditë më parë në median greke, ndërsa denoncimin e kishte bërë ish bashkëshorti i nënës shqiptare, me profesion marinar. Pas 1 viti udhëtim në detyrë, ky i fundit kishte kërkuar të takojë fëmijët e tij. Ai ishte përballur me skena të rënda, kur kishte parë fëmijët që jetonin në mesin e minjve e buburrecave.

30 vjeçarja me origjinë shqiptare bashkëjetonte me një 54 vjeçar. Ajo u denoncua nga ish i shoqi, ndërsa edhe fqinjët e mbështetën akuzën e dëshmuan se kishin parë gruan t’i nxirrte fëmijët për të lypur në rrugë.

Pak ditë më vonë, policia arrestoi gruan dhe bashkëjetuesin. E pyetur nga hetuesit sesi mund t’i kishte lënë fëmijët në mesin e buburrecave, gruaja i kishte thënë oficerëve se fëmijëve i kishte treguar se buburrecat ishin flutura.

Madje, siç raportoi media greke, edhe gjykatësja e çështjes kërkoi ndalimin e pamjeve filmike të paraqitura si prova për trajtimin çnjerëzor të fëmijëve, duke u shprehur se nuk mund të duronte dot më.

Fëmijët aktualisht qëndrojnë ende të shtruar në spitalin pediatrik në Athinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re