Fëmijët në situatë rruge vazhdojnë të mbeten një shqetësim ndër vite. Drejtoresha e Shërbimit Social në bashkinë Tiranë, Anisa Subashi tha se me hapat e ndërmarrë është reduktuar numri i fëmijëve nëpër rrugë por shtoi se është e vështirë që një fenomen i tillë të zhduket plotësisht.

“Numri ka rënë, nuk po themi se është një nga fenomenet që do të zhduket. Do të ishte ideale por edhe utopike. Synojmë që të ketë një numër sa më të vogël. Është një fenomen që ne synojmë të zvogëlojmë numrat drejt zeros por do të ishte shumë ideale për ne që t’i kishim zero.”, theksoi Subashi.

E pyetur se sa para mund të fitojë një fëmijë që lyp në rrugë, kryetarja e Agjencisë për mbrojtjen e fëmijëve Alma Tandili theksoi se shifrat arrijnë derin në 50 mijë lekë në ditë dhe 1 mijë euro në muaj. Megjithatë, ajo tha se edhe ose ata mund të çojnë të ardhura në familje, ky fenomen s’duhet të pranohet.

Është një fenomen global për shkak të shfrytëzimit dhe detyrimit nga të rriturit. Marrin 20, 30 deri në 50 mijë lekë në ditë dhe deri në 1 mijë euro në muaj. Janë familjarët, të afërmit por edhe persona të tjerë në rrethin e tyre që i shfrytëzojnë. Është një punë e detyruar që fëmija nuk e bën me konsens.

Ky fenomen nuk duhet të pranohet nga shoqëria. Ne kemi në total në Shqipëri 230 fëmijë që kanë nevojë për mbrojtje, të shfrytëzuar ekonomikisht. Në vitin 2019, kemi pasur një situatë të rënduar të fëmijëve në Bulqizë. Në atë kohë ka pasur 55 fëmijë të referuar, sot kemi zero fëmijë në ato miniera. Ka qenë një punë kolosale në tre vjet. “, u shpreh Tandili.

Tandili shtoi se duhet t’i japim stop këtij fenomeni dhe se deri në vitin 2025 do të kemi zero fëmijë në situatë rruge. Ana Majko, përfaqësuese e shoqërisë civile theksoi se qytetarët nuk duhet t’u japin para.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re