Historitë e suksesit të finalistëve dhe fituesve të Albanian ICT Awards nuk janë më surprizë për publikun shqiptarë.
Blerta Thaçi, fituesja në Kategorinë Femra në ICT në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards u përzgjodh së bashku me ekipin e Open Data Kosovo në listën 30 Under 30 të revistës prestigjioze Amerikane Forbes.
Ekipi i Open Data Kosovo i përbërë nga Blerta Thaçi, Dafina Olluri dhe Blina Shala arritën finalen e 30 Under 30 në kategorinë “Law and Policy.”
30 Under 30 është një listë vjetore me disa prej të rinjve “disruptor-ë” më të suksesshëm të cilët me punën e tyre kanë ndikuar pozitivisht në fusha të ndryshme si Arti, Kultura, Financa, Teknologjia, Shkenca, Sipërmarrja, Media dhe Marketingu etj.
Krahas publikimit të kësaj liste, Forbes çdo vit mban Samitin 30 Under 30. Nga 2016-a lista e nominimeve shkoi deri në 15,000 ku Forbes përzgjedh 30 fituesit për 20 kategoritë.
Blerta Thaçi ishte një prej fituesve në një prej edicioneve më të suksesshme të ICT Awards.
Juria e shpalli atë Femra në ICT. Blerta Thaçi është themeluese e Girls Coding Kosova, një organizatë jo qeveritare e krijuar për të bashkuar dhe krijuar rrjetin e femrave të pasionuara në teknologji.
Aktualisht punon në Open Data Kosovo si zhvilluese softueri dhe udhëheqëse e programeve të organizatës.
Ajo ka studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Kompjuterikes.
Ajo është shumë entuziaste dhe aktive në komunitetin e teknologjisë në Kosovë, si anëtare e FLOSSK Kosova dhe Prishtina Hackerspace.
Në një intervistë për PCWorld.al ajo ndau disa prej eksperiencave më të vyera të saj si dhe planet për të ardhmen.
Open Data Kosova është një organizatë jofitimprurëse e cila beson tek roli i fortë i teknologjisë dhe humanitarizmit dixhital për një qeverisje transparente dhe të hapur.
Organizata në fjalë mbështet idenë se të dhënat qeveritare duhet të jenë të hapura për këdo dhe jo vetëm, por edhe të ripublikohen pas asnjë pengesë.
Prej vitesh Open Data Kosovo ka kontribuar në zhvillimin e skenës teknologjike lokale.
Disa prej projekteve më të shquara ku kjo organizatë është e përfshirë janë: Open Goverment Data Portal, Amnesty Education Platform, E-Prokurorimi, Assembly of Kosovo Deputy Asset Declarations Visualizer, Open Business etj.
Gjithashtu rrjeti i saj, Girls Coding Kosova, përfshin mbi 1000 femra aktive nga të gjitha komunat e Kosovës, të moshave pesëmbëdhjete deri në njëzet e pesë vjeç. /PCWorld Albanian

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re