N’Golo Kante është lojtari më i ri i Fenerbahçe.

Klubi turk ka arritur të transferojë mesfushorin francez, pavarësisht problemeve që u shfaqën fillimit në sistemin TMS të FIFA-s.

Mesfushori francez ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në Stamboll deri në vitin 2028.

Ndërkohë mediat turke kanë zbuluar edhe rrogën.

Futbollistit do t’i paguhet një bonus nënshkrimi prej 14.400.000 euro, si dhe 5.500.000 euro për sezonin 2025–2026. Ndërsa për sezonet 2026–2027 dhe 2027–2028, do të përfitojë nga 11.000.000 euro në sezon.

Ndërkohë Fenerbahçe ka falenderuar publikisht presidentin Recep Tayyip Erdogan për finalizimin e kësaj marrëveshjeje, që duket se është më shumë se sportive, pasi u desh ndërhyrja e politikës që diçka e tillë të arrihej.

“Klubi ynë ka përfunduar me sukses transferimin e N’Golo Kante, një nga figurat kryesore në futbollin botëror. Në emër tim dhe të klubit tim, dua të falënderoj presidentin tonë, Rexhep Taip Erdogan, për mbështetjen e tij të konsiderueshme, e cila e bëri të mundur këtë proces dhe do të kontribuojë në zhvillimin e Fenerbahces dhe futbollit turk”, shkroi presidenti i klubit të Fenerbahces, Sadettin Saran.

Kante, 34 vjeç, iu bashkua Al-Ittihad nga Chelsea në vitin 2023, pasi kishte fituar Ligën e Kampionëve, Premier Leaguen, Europa League dhe Kupën FA me skuadrën londineze.

Ai iu bashkua “Bluve” nga Leicester City në vitin 2016, pasi i kishte udhëhequr “Dhelprat” drejt trofeut të Premier League.

Pas sigurimit të Kante, klubi turk ka nisur bisedimet me Al-Hilal për sulmuesin Darwin Nunez.

Uruguaiani është i pakënaqur në Arabi, sidomos pas transferimit të fundit të Karim Benzema te skuadra e tij. Fenerbahçe synon ta afrojë Nunez në formë huazimi me të drejtë blerjeje për pjesën e mbetur të sezonit.

Kjo lëvizje vjen si një nevojë për të zëvendësuar Youssef En-Nesyri, i cili u largua drejt Al-Ittihad. Drejtuesit turq po punojnë kundër kohës për të mbyllur këtë goditje të dytë të madhe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re