Në dekadat e fundit në vendin tone po ndodh një fenomen mjaft shqetësues; braktisja e qyteteve dhe fshatrave.

Në Tiranë aktualisht jeton 32.2% e të gjithë popullsisë shqiptare, ndërsa në 2031 do të jetojnë 35%, pra 954 mijë banorë.

Braktisja e fshatrave ka çuar dhe në uljen e numrit të punësuarave në bujqësi. Ata synojnë qytetet e mëdha, duke lënë djerrë tokat dhe duke humbur mundësinë që kanë për të punuar në këtë sektor.

“Po të shikosh të dhënat ndër vite mbi 40 për qind e punësimit në Shqipëri, në zonat rurale është në bujqësi, agrikulturë dhe braktisja e zonave rurale sjell një ulje të punësimit në këtë fushë të ekonomisë. Në këtë mënyrë bujqësia që ka qenë një nga faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik do të stopojë dhe do të ngeli shumë mbrapa,”- thotë Ines Nurja, ish-drejtuese e INSTAT.

Një fenomen tjetër shqetësues është rritja e numrit të popullsisë në qytetet kryesore, që sjell dhe papunësi.

Sipas të dhënave të INSTAT në pesë vitet e fundit, të gjitha qarqet e vendit kanë zvogëlim të përvitshëm të numrit të banorëve. Përjashtim këtu bën vetëm Tirana dhe Durrësi, që kanë rritje të popullsisë.

Eksperti i çështjeve sociale Kosta Barjaba shprehet se në qytete nuk ka vende pune dhe duhen krijuar politika që të mundësojnë punësimin.

“Për gjithë këtë forcë pune që vjen nga qytete apo nga fshati nuk ka vende pune. Edhe pse nuk ka vende pune, ekonomia dhe shoqëria ecën përpara nëpërmjet presionit që bën forca e re punëtore që vjen në qytet. Ekonomia ecën para dhe nëpërmjet politikave që bëhen për të krijuar një frymëmarrjë të zhvilllimit ekonomik dhe për ta orientuat zhvillim e ekonomisë drejt atyre sektorëve që krijon vende pune,”- shprehet Kosta Barjaba.

Sipas pedagoges Ilirjana Kuçana nëse duam t’i rikthejmë frymëmarrjen Shqipërisë duhet të bëjmë investime në zonat rurale.

“Unë mendoj që pas tre dekadash tranzicion ka ardhur momenti tashmë t’i kthejmë dinjitetin Shqipërisë tonë të dashur, t’u japim mundësi të rinjve për punësim, shkollim dhe kështu do investojnë në fshatrat e ndryshme”, u shpreh ai.

Për të treguar këtë realitet të trishtë, Unpublished në Euronews Albania udhëtoi në fshatin Shpukth të Bulqizës, tashmë të boshatisur plotësisht nga banorët.

Drejtori i shkollës 9-vjeçare në fshatin Topojan, Naim Jani tregon për Unpublished arsyet e largimit të banorëve nga kjo zonë, e cila ka qenë e populluar për shkak të burimeve të ujit që kishte.

“Pas viteve ‘90 janë tre arsye që kanë ndikuar në braktisjen e fshatrave. E para është lëvizja e njerëzve nga këto zona, në qytete të mëdha, siç është Tirana dhe Durrësi. Faktor tjetër është emigrimi, që kanë lëvizur njerëzit jashtë shtetit. Kemi edhe një faktor tjetër që ka ndikuar dhe është rënia e lindshmërisë,”- thotë drejtori i shkollës në fshatin Topojan për Unpublished në Euronews Albania.

Pasojat e para të largimeve nga fshatrat u ndjenë në tkurrjen e nxënësve në shkolla moshave. Më të rinjtë u larguan, duke i vënë drynin shkollës.

“Shpukthi ka 20 vjet që nuk ka më nxënës. Ka qenë një lagje e Topojanit me 15 familje, por që tani nuk ka më asnjë. Shtëpitë janë të rrënuara, pasi ka qenë shumë e distancuar si zonë”, shtoi z. Jani.

Edhe pse kanë vite që janë larguar disa nga të ikurit shprehen se do ktheheshin në vendlindjen e tyre nëse do investohej aty.

“E kam menduar rikthimin, por atje ka vështirësi, sepse nuk ka rrugë. Nëse do të kishte një rrugë të mirë unë do të isha i pari që do të investoja, duke bërë një bujtinë apo një shtëpi sado të vogël”, shprehet Agim Skarra, ish-banor i fshatit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re