Në titullin a tekstin e një lajmi kur është fjala për reagime, të shumta në numër a të ashpra në lloj, ndaj një personazhi politik, përdoret lehtësisht termi “masakrim”, i ngarkuar me konotacion luftarak. Po a janë të tilla ato që i drejtohen Ramës në rrjete apo komunikime sy më sy?     

 Nëse i qasesh me vëmendje komunikimeve të gjindjes shqiptare me Ramën në rrjete sociale, do mund të vihet re lehtësisht dhe mendësia e masës jo thjesht ndaj liderit, por dhe ndaj realitetit ku frymon e vetes gjithashtu.

Tre grupime e dominojnë: ata që e fyejnë, ata që e komplimentojnë, dhe ata që i qahen. Me pak diferenca, këto janë pak a shumë llojet e  komunikimeve me të parin e vendit.

Konstatimi tjetër është se ndër ta, të cilët janë me qindra, nuk has pothuajse asnjë emër të njohur, që, i gjendur në aty, mundet t’ja thotë nja dy fjalë kryeministrit dhe në këtë linjë virtuale.

Dhe jo vetëm kaq. Në qindra mesazhe, pothuajse nuk has asnjë që të përçojë: 1.etikë (nuk përfshihen këtu ato që janë furçe, të tipit “bravo, je i madh…”), 2.kulturë gjuhësore dhe 3.komunikim normal. Në ç’kuptim normal? Në kuptimin që, një kontakt me kryeministrin do ishte dhe një rast i mirë për një kritikë serioze për aksh çështje, ose një propozim apo ide pwr aspekte të caktuara zhvillimi. Kjo, jo vetëm që mungon në terma gati absolutë, por është dhe në kufijtë e të paimagjinueshmes. Si provë shërbejnë dhe komunikimet e drejtpëdrejta, pra jo ato virtuale.

Vëreni me vëmendje llogaridhënien e këtyre ditëve. Nga ata që marrin mikrofonin, vështirë të hasësh ndonjë mendje inteligjente ku fjalën përballë të parit të vendit nuk e shoqëron as me ndonjë ide, as me ndonjë propozim, makar as me ndonjë kritikë të ftohtë për atë që qeveria nuk po e bën mirë; përkundrazi, janë të gjitha ankesa.

Çfarë do të thotë kjo: e para, sa i përket mungesës së cilësisë së komunikimit në FB, njeriu kualitativ, ai që ndryshe mund të quhet me dy pare mend në kokë, nuk pranon të hyjë në kazanin e komenteve me objekt fjalët e kryeministrit. Dhe këtë, ky i fundit duhet ta vuajë shumë. E dyta, ne jemi katandisur në popull ankimtar, mu përse e shohim veten vetëm si viktima, pa asnjë përgjegjësi mbi atë çfarë shkon keq. Dhe e keqja, si rregull sociologjik, nuk mund të vijë vetëm nga një drejtim, siç ne mendojmë se vjen nga lart, nga qeveria. Ajo gjen terren diku, mbillet e kultivohet edhe tek masa. Si? Mjafton nga mendimi i deformuar se e gjithë përgjegjësia vjen nga lart, apo se dhe zgjidhja vjen vetëm nga lart.

Siç shihet, pra nga ajo masë vluese e mesazheve që vjen nga populli drejt udhëheqësit, askush nuk zgjedh ta gozhdojë këtë të fundit qoftë me një kritikë bindëse, qoftë me një ide apo propozim. Ky po që do ishte një lloj masakrimi. Ramën, nëse nuk e sfidon dot me inteligjencë, zorr se mund t’ja tregosh vendin, apo të masakrosh me gjuhë qaramane apo ofezash të rëndomta.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re