Siç po shihet, aleanca PD – LSI po funksionon më së miri në kushte opozite. Ka një kompaktsi e harmoni jo vetëm te veprimi politik, por sidomos te gjuha. Dy palët e kanë ligjërimin me një konstante egërsie karshi pushtetit, ku dhe leksiku duket si i nxjerrë nga një fjalor i vetëm. Një vit më parë, kur Rilindja rinisi udhën e saj pa LSI-në nëpër këmbë, pati një ngurrim të lehtë në kushte opozite mes kësaj të fundit dhe PD-së, për t’u riafruar. Por shumë shpejt të dyja u gjendën krahpërkrah, në një përbetim për t’ja nxirrë “jetën qeverisëse” Edi Ramës, njeriut që jua kishte marrë pushtetin, PD-së direkt në zgjedhje e LSI-se në një lojë shah-mat me kohë në katër vite. Ndodhi kjo pasi dhe PD e kish kursyer disi në kushte aleance me Ramën, sidomos në rastin e çështjes “Balili”, kur zgjodhi t’ja faturonte Ramës atë që ishte njeriu i LSI-së.

Edhe në kushte pushteti, harmonia PD – LSI ka qenë model. Në 2009, ata u bashkuan me një lehtësi e natyrshmëri të panuhatur deri atë çast dhe, mos kishte qenë ai palo-bllok i Metës, aleanca me tyre në kushte pushteti do vijonte pa asnjë thyerje të natyrës botëkuptimore apo vizionare. Këto dy nocione – botëkuptim e vizion – janë ende të huaja në politikëbërjen shqiptare në përgjithësi, e diçka e panjohur te PD e LSI, veçmas apo kur janë bashkë.

Edhe ndarja mes tyre, në prill të 2013-ës, u shoqërua me jo pak dhimbje nga dy palët, e përkthyer në paqen që e shoqëroi dirvorcin. LSI e dinte se çfarë e priste në koalicion me Ramën, pasi e kish provuar si aleat të vështirë në jo pak kohë, por tërheqja kah pushteti në një çast të vështirë rënieje, e bëri që t’i bshkangjitej dhe njëherë njeriut me të cilin kurrë nuk gjetën paqe, as në pushtet e as në opozitë.

Aleanca PS-LSI, nga 2007-ën kur vendosën të bënin pakt në rafshin e pushtetit lokal, sidomos për Tiranën, e deri në 2009-ën kur u ndanë me tërsëllimë, ishte një tregues se nuk ishin për njëra-tjetrën. Ndërsa e kundërta po ndodh mes PD-së dhe LSI; ngjajnë të jenë krijuar për njëra-tjetrën!

Me dy origjina të ndryshme, e ku njëra vetëquhet e djathtë dhe tjetra e majtë, te bashkëjetesa e tyre model ata reflektojnë kaosin ideologjik e parimor në politikën shqiptare. Sepse, mundet që përballë Ramës diku të bashkoheshin, por dhe te ndaheshin diku. Jo! Janë në një unison që rrëzon çdo teori politike. U duket si përfitim, por në fakt është kosto për ta. Sidomos PD-në. Nëse rezultati i një aleance me LSI-në në kushte pushteti e çoi në opozitë, nuk ka gjasë të ndodhë e kundërta!          

                

                

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re