Xherdan Shaqiri vijon të mbetet në qendër të vëmendjes këtë verë. Nëse javë më parë do të spikaste në Botëror me golin ndaj Serbisë dhe me festimin me shenjën e shqiponjës, një gol në debutimin me Liverpulin e ka detyruar trajnerin e tij të ri ta quajë këtë si diçka “jo normale”.

Lojtari zvicerian me origjinë shqiptare shënoi golin e katërt të Liverpulit në fitoren 4-1 ndaj Mançester Junajtedit në Miçigan të SHBA-së.

Ka qenë një gol spektakolar në ndeshjen e vlefshme për International Champions Cup, një prej turneve verorë që u shërbejnë përgatitjes së skuadrave për sezonin e ri.

Jurgen Klopp ka mbetur i befasuar nga paraqitja e lojtarit, aq sa ka deklaruar se kjo nuk është normale pas vetëm katër ditëve në klub.

Tejet i kënaqur me lojtarin dhe me dëshirën e tij për të dhënë më të mirën që në ditët e para me Liverpulin, Klopp është çuditur me adaptimin e shpejtë të Shaqirit me stilin e lojës së Liverpulit.

Shaqiri është një prej katër blerjeve të reja të Liverpulit, së bashku me Alisson, Naby Keita dhe Fabinho.  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re