Turqia tashmë ka blerë sistemet mbrojtëse S-400 nga Rusia dhe shpreson se ato do të dorëzohen në korrik – tha të mërkurën presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, një njotim-deklaratë që mund të rrisë tensionet me aleatin e NATO-s, Uashingtonin.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer kritika publikisht për disa muaj me radhë lidhur me blerjen e S-400, të cilat nuk janë në përputhje me sistemet e NATO-s.

“Turqia tashmë ka blerë sistemet e mbrojtjes S-400. Kjo është një marrëveshje e bërë dhe shpresoj se këto sisteme do të dërgohen në vendin tonë muajin e ardhshëm”, tha Erdogan.

Blerja ka ngritur tensionet midis aleatëve të Turqisë në NATO dhe ka provokuar zemërim në Uashington, i cili priste që Ankaraja të vendose për sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore – Patriot.

Pentagoni njoftoi të premten se nëse Turqia nuk do të heqë dorë nga sistemi S-400 deri më 3 korrik, Ankaraja do të bllokohej nga blerja e avionëve luftarakë F-35 dhe pilotët turq që aktualisht stërviteshin në SHBA do të dëboheshin.

Turqia ka në plan të blejë 100 F-35 nga SHBA.

Të hënën, zyrtarët amerikanë njoftuan se Uashingtoni kishte ndalur trajnimin e pilotëve turq në F-35 të cilët gjenden në një bazë ajrore në shtetin e Arizonës.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Patrick Shanahan tha javën e kaluar se i kishte dërguar një letër homologut të tij turk Hulusi Akar, duke e informuar atë për vendimin e Uashingtonit për të tërhequr Turqinë nga programi F-35.   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re