Fermerët francezë e kundërshtojnë reformën bujqësore e cila do të ndihmojë me subvencione më së pari fermat organike dhe agro-ekologjike.

Të martën, ata zbritën me dhjetëra traktorë në autostradat kryesore të vendit, në kuadër të operacionit që e kanë quajtur “Kërmilli”, për të paralajmëruar qeverinë kundër nismës politike duke e bllokuar trafikun rrugor.

Sipas fermerëve, mbi 70 për qind e tyre rrezikojnë të humbasin nga 60 në 80 euro për hektar në formë mbështetje financiare, sepse jo të gjithë kultivojnë produkte organike.

“Sa më pak të prodhojmë në Francë, aq më shumë produkte do të improtojmë, por produktet nga Portugalia, nga Spanja apo ngado, nuk përmbushin as gjysmën e standardeve që ne aplikojmë edhe për bujqësinë tradicionale, për të mos folur për sektorin organik.” – ka thënë Damien Greffin, president i Federatës së Operatorëve Bujqësorë.

“Dikush duhet të na shpjegojë nëse zoti Makron preferon të dëgjojë shoqatat e mjedisit apo fermerët, që jemi aktorët e vërtetë në terren.” – ka thënë  Amaury Babault, farmer

Plani strategjik i Francës për një bujqësi më ekologjike është ende në fazën e konsultimit, por pritet t’i prezantohet Komisionit Europian siç ka ndodhur me vendet e tjera të BE-së.

Eko-skemat financiare që parashikon reforma franceze favorizojnë fermerët që nuk përdorin plehra kimike dhe e mbrojnë biodiversitetin e tokës së tyre.

“Ne jemi në trajektoren e progresit, ku duhet të integrojmë elementë më mjedisorë, më ekologjikë siç i kërkon vendi. Problemi është se projekti që është tani në tryezë nuk i lejon të gjithë fermerët të prodhojnë nesër. Këtu ne nuk biem aspak dakord me qeverinë,” deklaroi presidenti i Sindikatës për Fermerët e Parisit.”– tha Damien Greffin.