Në kohën e konsumit masiv, përdorimi i plehrave kimikë në prodhimet bujqësore bëhet gati një domosdoshmëri për fermerët, me qëllim që të rritet rendimenti.

 

Por në çdo rast, bujqit duhet të kenë parasysh disa rregulla për të zbatuar dhe të mos tejkalohet sasia e lejuar e plehrave kimikë dhe pesticideve.

 

Një ndër to është edhe respektimi i karencës, pra i kohës që duhet të pritet që një produkt të përdoret apo hidhet në treg, pasi janë përdorur inputet bujqësore.

 

 

ILIR PILKU

EKSPERT PER BUJQESINE

“Ne kryesisht bujqësinë e kemi intensive, është i padiskutueshëm përdorimi i pesticideve. Në lidhje me përdorimin e pesticideve dhe plehrave kimikë, jemi ndër vendet që i përdorim më pak në rajon. Ne nuk prodhojmë plehra kimikë, vijnë nga importi. Fermerët duhet të zbatojnë në përdorimin e plehrave kimikë dhe të pesticideve, karencën. Nuk duhet të vjelin gjatë kohës që karenca nuk ka mbaruar. Këto rregulla janë të postuara në faqen e Ministrisë të Bujqësisë, lexohen dhe respektohen.”

 

Në përllogaritjen e saktë të plehrave kimikë që nevojiten për kultura të ndryshme, duhet të bëhen analizat e tokës dhe në bashkëpunim me një specialist, të percaktohet se çfarë dhe në ç’sasi duhet përdorur.

 

Në të kundërt, efektet janë negative dhe te konsumatorët, mund të shkaktohen edhe sëmundje.

 

 

ILIR PILKU

EKSPERT PER BUJQESINE

“Përdorimi i tepërt i pesticideve dhe një bujqësi super intensive, rrit rendimentin, por ul parametrat e shijes, të produkteve. Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ushtrojmë analiza risku të shpeshta që të kemi siguri jo vetëm për eksportin, por edhe për konsumatorin.”

 

Por sa të edukuar janë fermerët tanë në përdorimin e plehrave kimikë e pesticideve?

 

 

ILIR PILKU

EKSPERT PER BUJQESINE

“Duhet të trajnohen vazhdimisht, por të paktën farmacitë bujqësore të licencuara duhet të shpjegojnë preparatin, riskun që ka, përdorimin e tyre, karencën. Nëse nuk arrijmë dot të trajnojmë fermerët, të trajnojmë farmacitë bujqësore që të jenë të ndërgjegjshme në punën e tyre, jo thjesht të bëjnë biznes, por edhe të përcjellin të gjitha mesazhet dhe specifikat.”

 

Shqipëria është importuese e inputeve bujqësore dhe për përdorimin e tyre, ka miratuar ligjin “Për produktet plehëruese”. Sipas legjislacionit, në bujqësinë tonë duhet të përdoren vetëm produkte plehëruese të regjistruara dhe në zbatim të pikave të shënuara në etiketë.

 

FERMERET ” TE VARUR” NGA PESTICIDET

 

SYNOJNE RRITJEN E PRODHIMIT ME PLEHRAT KIMIKE

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re