Për t’i dhënë zgjidhje një prej shqetësimeve të tyre kryesore ndër vite, atij të çmimit të shitjes së prodhimit, fermerët në zonën e Beratit dhe Fierit janë bërë bashkë, për të përcaktuar çmimeve dysheme për kulturat bujqësore.

Aktualisht, ata po nxjerrin në treg kastravecin e serave dhe për ta shitur, fermerët kanë përcaktuar së bashku me pikat e grumbullimit një çmim javor prej 50 lekësh/kg.

Fermerët shpjegojnë se ishin të detyruar të bënin një marrëveshje të tillë sepse çmimi i shitjes me shumicë për kastravecin ra në 30 lekë/kg.

“U mblodhëm disa pika dhe ramë dakord që të kishte një çmim javor, 50 lekë/kg. Eksportuesit e mëdhenj kanë rënë dakord me ne që të ulemi dhe të caktojmë një çmim javor. Para dy javësh e kishim 60-70 lekë, pikat e ulën çmimin e çuan 30 lekë, doli nën kosto.”, tha fermeri Mariglen Ziu.

“Zgjidhja për këtë problem qëndron në vënien, caktimin e një çmimi dysheme, pra të mos lejohet shitja nën një çmim të caktuar që të na sigurojë që të mos falimentojmë.”, u shpreh fermeri Mario Bega. 

“Këtu luajnë me çmimin, nga 60 lekë, shkon në 30 lekë. 100 lekë e kam shitur unë vjet. Kur shkon në Tiranë ky mall shitet me 2 mijë lekë.”, deklaroi fermeri Dashnor Çela

Gjatë sezonit të shkuar, kastraveci u eksportua me një çmim të lartë prej 100 lekësh/kg, falë nevojës që kishin tregjet italiane dhe spanjolle për këtë produkt.

Në këto kushte, fermerët shtuan sipërfaqet e mbjella, por këtë vit, çmimi ra në 70 lekë/kg./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re