Shkrimtari Visa Zhiti ka reaguar ndaj ndërhyrjeve që po bëhen në burgun famëkeq të Spaçit. Zhiti i cila ka qenë dhe i dënuar politik në kohën e komunizmit është kundër ndërhyrjeve që sipas tij po zbukurojnë këtë burg famëkeq.
Shkrimtari e barazon burgun e Spaçit me Ferrin dhe si i tillë duhet të mbetet edhe për të kujtesë ndaj brezave që do vijnë për atë se ç’është bërë në këtë vend.
Por nga ana tjetër Zhiti do ishte dakord me ndërhyrje që do e kthenin Spaçin në muze si ai i Aushvicit, por jo për ndërhyrje tjetërsuese dhe që fshijnë të kaluarën e errët aty.
Postimi i Visar Zhitit:
MOS ZBUKURONI FERRIN!
Ferri nuk zbukurohet! Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë për ata që ishin në ferr…
Burgu famëkeq i Spaçit, ku vuajtën mizorisht mijëra kundërshtarë të diktaturës enveriste, ku u pushkatuan apo u ridënuan rëndë ata qê guxuan dhe u ngritën në revoltën e madhe, tashmë të futur në histori si ndër të paktat dhe më heroiket në të gjithë perandorinë komuniste, por e vetmja ku u ngrit Flamuri Kombëtar pa yllin e kuq, ku u vranë në minierat me kushte primitive, ku punonim si skllevër, ku vdisnim urie e varrezë nuk kishte, banonim në fjetore pa asgjë, me tullat si luspa reptilësh, ku mbi 50 veta ngjeshur flinin në një dhomë-shpellë, me dyshekë kashte me tri radhë njeri mbi tjetrin, dritare te shkaterruara ku futej era e dimrit dhe shiu dhe vëzhgonte policia e çmendur, ku s’lejoheshin rroba te tjera veç te burgut, as këpucë apo orë dore, kuzhina me tym si gazi në kampet naziste, etj, etj, një infermieri pa ilaçe, ku alkoolin e pinin policet me spiunët e tyre, me ata në sherbim të komandës, berberhane, tubi i ujit me vrima nga rridhte uji qe ngrinte akull, banjot pa dyer, shkallë dhe zgëqe e thase, shtylla, altoparlantë që lehnin, kthina e takimeve të rralla me familjarët- e ndaré me hekura në nje dhomez sa kolibja e qenit të komandës, vendi i rrethuar me tela me gjemba një herë, dy herë, tre herë, katër herë, pesë… dhe male, përrenj me ujë të zi që dilte nga grykat e minierës si gojë lubish, kullat e dëndura të vendrojeve me trarë si përbindësha, etj, etj.
PSE?
– Një herë u bë krimi i madh, që u ngrit ai burg politik aq çnjerëzor…
– Së dyti, që e lanë të rrënohej, po prishej një dëshmi, po zhytej në mjegullat e harresës nga qeveritë…
Së voni- po duan ta bëjnë muze, shumë mirë, por jo ta tjetërsojnë, nëse po ndodh, jo ta zbukurojnë siç nuk ka qenë, të lihet ashtu siç e bënë etërit…
FILMI?
Po ndreqet për një film, po dëgjoj këto ditë të thonë, që do të xhirohet aty…
Skenarin e filmit, “Kryengritje në ferr”, e kam shkruar unë, ish i burgosur i Spaçit, drejtimor i filmit dhe regjisor ështe Namik Ajazin, edhe ai ish i burgosur si unë, edhe babai i tij e mijëra shqiptarë, ndërkaq i është kërkuar shtetit nëpërmjet kryeministrit, cilitdo që do të ishte, (se s’e kemi emëruar ne, por doli nga zgjedhjet, e di populli sa të lira ishin…), që të mbeshtesnin filmin, si rrëfim i vuajtjes dhe i qendresës dhe kryengritjes tonë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, euroatlantike, nder për historinë dhe krenari për popullin, që s’u gjunjëzua i gjithë.
Shteti e ka për detyrë, i ka paratë, janë tonat, qoftë dhe nga ato të punës së papaguar të mijëra e mijëra të burgosurve politikë në dekadat e socializmit real në miniera, tharje kënetash, hapje kanalesh, themelesh, ngritje pallatesh, taracash, stadiumesh e deri dhe aeroportin e kryeqytetit, etj, etj.
Shteti të dënojë krimin shtetëror të diktaturës enveriste, të nxjerrë kriminelët e saj politikë, t’i sjellë nga ku janë strehuar, jo t’i riciklojë, të ndëshkojë Realizmin Socialist dhe të keqen!
Shteti të mos zvarrisë apo të shmangë kulturën e kujtesës tonë!…
Tê ribëjë burgun e Spaçit si muze ashtu si Aushvicin bota, si pjesë të kujtesës njerëzore, ashtu siç ishte, autentik, nëse s’mundet, të mos e zbukurojë, le t’ua thoshin etërve atëhere ta bënin siç do të donin tani – si makiazh krimit të madh shtetëror, ferri është ferr, ai thjesht duhet të dëshmohet, të kujtohet si një e vërtetë e mynxyrshme, me qëllim që të mos përsëritet…
Këtë do të donim të bënim me filmin, nderim vuajtjes dhe martirizimit, gjakut dhe qëndresës, ëndrrës dhe së ardhmes…
Shteti dhe askush të mos e pengojë, nëse nuk e mbështet dot artin e madh si pasuri kombëtare!