Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka marrë një dhuratë nga priftërinjtë e Mitropolisë.

Meta thekson se priftërinjtë me rastin e 30-vjetorit të rihapjes së kishave në Berat i dhuruan disa fotografi nga mesha e zhvilluar në 6 janar 1991 nga At Vangjel Xoxe.

Po ashtu Meta i shpreh mirënjohje klerikëve patriotë shqiptarë që kanë ndriçuar arsyen veçanërisht për t’u ndarë nga ‘paudhësia’ dhe për të ndjekur Zotin, rrugën e drejtë dhe të vërtetën.

STATUSI NGA ILIR META

Kremtimi i Ujit të Bekuar në Berat është gjithnjë i veçantë. Të tillë e bëjnë besimtarët e mrekullueshëm të këtij qyteti, lumi Osum dhe fakti se në çdo 6 janar përkujtohet zhvillimi i ceremonisë së parë fetare për këtë festë, në Kishën e Shën Spiridhonit, pas dekadash të mohimit të Zotit nga regjimi diktatorial.

Falënderoj me mirënjohje priftërinjtë e Mitropolisë së Beratit, të cilët me rastin e 30-vjetorit të rihapjes së kishave në këtë qytet, më dhuruan sot disa fotografi nga mesha e zhvilluar në 6 janar 1991 nga At Vangjel Xoxe.

Mirënjohje për klerikët patriotë shqiptarë, të cilët përgjatë gjithë historisë kanë dhënë, me shumë sakrifica, një kontribut të vyer në drejtim të çështjes shqiptare, lirisë, demokracisë dhe forcimit të shtetit shqiptar, duke na ndriçuar arsyen me mesazhe të mençura, veçanërisht për t’u ndarë nga “paudhësia” dhe për të ndjekur, me besim në Zot, rrugën e drejtë dhe të vërtetë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re