NJOFTIMI I POLICISE
Me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve me rastin e ndërrimit të viteve, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në bazë dhe për zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar me të njëjtin objektiv, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ndërmarrë një sërë masash konkrete në të gjithë territorin e kryeqytetit.

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike;
-vendosjen e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë;
-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore;
-kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale;
-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë, në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve;
-bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re