Festimi i 70 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës ishte njëherazi edhe reflektim kritik për sfidat vijuese të tij. Sipas raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të KiE, Thorbjorn Jagland, vendet anëtare të kësaj organizate duhet gjithnjë e më tepër t’i kushtojnë vëmendje tri çështjeve kryesore:

a) ndikimi që inteligjenca artificiale mund të ketë në të drejtat e njeriut dhe liritë themelore në përgjithësi;b) përpjekja për të adresuar pabarazitë në rritje ekonomike dhe shoqërore në Evropë;c) angazhimi për të parandaluar dukurinë në rritje të punës së detyruar;

Për t’i ruajtur vlerat e tij themelore dhe për t’iu përgjigjur sfidave vijuese, Këshilli i Evropës duhet ta konsolidojë rëndësinë e tij institucionale në çdo rrethanë.

Për të realizuar këtë qëllim, reforma e tij e brendshme është e domosdoshme. Ashtu sikurse çdo anëtar duhet t’i përmbushë përgjegjësitë e tij (veçanërisht ato financiare), ashtu edhe komunikimi i brendshëm institucional duhet të përmirësohet përmbajtësisht. Ndasitë e brendshme nuk duhet të vënë asnjeherë në pikëpyetje peshën e vlerave të përbashkëta të Këshillit të Evropës.

Shqipëria do të vazhdojë të mbrojë çdo vlerë të kësaj organizate dhe do të mbetet kontribuese aktive brenda saj. Shqipëria po ashtu konsideron se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një vlerë e shtuar për organizatën në përgjithësi dhe kontribut në afirmimin e të drejtave dhe lirive themelore në veçanti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re