Emisioni “Vizioni i Pasdites” i moderuar nga Brikena Prifit, kishte të ftuar këtë të premte 3 të rinj, të cilët janë pjesë e festivalit të Teatrit “Hapat”, një festival i cili u jep mundësinë aktorëve të rinj të tregojnë talentin e tyre.

 

E pyetur nga moderatorja Brikena Prifti se cila ishin benefitet që aktorët e rinj marrin nga ky festival, aktorja Asiana Koka tha se ishte mjaft e surprizuar nga gjithçka.

 

Sipas saj pavarësisht skepticizmit në fund kuptoi se edhe në Shqipëri të rinjtë kanë mundësi të konkurojnë dhe të vlerësohen për atë që japin.

 

“Benefitet ishin që në momentin e audicionit. Ishte surprizuese pasi audicionet funksionuan vërtetë. Nga eksperiencat e kaluara sigurisht që isha skeptike. U ndjeva vërtetë e vlerësuar për atë që unë dhashë, që aty fillojnë benefitete, pasi unë filloj dhe besoj në atë që ndodh. Që në atë moment unë thashë “OK” kjo funksionoka”, u shpreh Koka.

 

Ndërkohë që edhe regjisori i talentuar shqiptar, Shyqyri Caushaj i cili ndan jetën mes Shqipërisë dhe Tuqisë, ka treguar emocionet e pjesëmarrjes në këtë festival.

 

Ai tha se ka ardhur në Shqipëri pasi ky festival ju duk mjaft interesant, dhe ai u bë pjesë e tij përmes audicioneve.

 

Caushaj ka rrëfyer gjithashtu se ai po vijon karrierën e tij në Turqi ku ka edhe një Teatër privat.

 

“Kam kaluar fëmijërinë time në Turqi. Pasi kreva studimet e bachelorit në Shqipëri, shkova atje të bëj masterin, pastaj doktoraturën, hapa Teatrin tim privat atje, dhe jam gjendur më shumë atje se sa këtu”, tha Caushaj.

 

Ndërsa regjisori tjetër Mariel Brahimllari tha se në Shqipëri të bësh art është mjaft e vështirë sidomos për të rinjtë.

 

Ai theksoi se përveç shtetit, artistët duhet të mbështeten edhe nga të tjerët në mënyrë që të ecin përpara.

 

“Mendoj se jo, pasi shumë të rinj që kanë ikur jashtë shtetit do të rrinin këtu. Është shumë ë vështirë të krijosh në Shqipëri. Ne nuk duhet të mbështetemi vetëm nga shteti, arti në Shqipëri duhet të vlerësohet më shumë”, deklaroi Braimllari. /Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re