Festa e Krishtlindjes është një nga kremtet më të rëndësishme në familjet e krishtera. Ndonëse ritualet ndryshojnë për familjet ortodokste dhe katolike, kanë një qëllim, që të sjellin gëzim.

Familja Leka ka hapur dyert e shtëpisë dhe ka mirëpritur gazetaren e emisionit “Vizioni i Pasdites”.

Të zotët e shtëpisë, zonja Lorena dhe zoti Elton kanë ndarë disa nga tradiatt e veçanta që ata ndjekin për Krishtlindje.

Gjithashtu familjes së tyre në këtë festë të rëndësishme i është bashkuar zonja Shpresa, e cila përmes një rrëfimi emocional na tregon për vështirësitë me të cilat është përballur.

Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë dhe nuk ka arritur që të bëhet nënë. Edhe pse e vetme, zonja Shpresa ndihet e lumtur në këto festa.

“Sot është dita kryesore, por Krishtlindja nuk fillon sot. Përgatitjet fillojnë që nmë 15 nëntor. Më 6 dhjetor bëjmë përgatitjen e bredhit, i cili simbolizon gjelbërimin e përhershëm që është jeta. Më pas në ditët në vijim përgatitjet bëhen më intensive. Më 22 ose 23 vijnë fëmijët e komunitetit tonë dhe këndojnë këngët e kolendrave. Krishtlindja ka ardhur duke u pasuruar nga viti në vit. Pavarësisht se tradita ka qenë e njëjtë, Krishtlindja vit pas viti po bëhet më e bukur. Njerëzit janë mësuar që sa fillon dhjetori është Krishtlindje dhe shikon simbole që na kujtojnë lindjen e Krishtit. Ne i kemi festuar Krishtlindjet zyrtarisht që në vitin 1991 kur besimi u lejua, por brenda familjeve tona i kemi festuar në mënyrë të fshehtë më parë”, thotë zoti Elton.

“Përgjithësisht i dhurojmë lodra fëmijëve. Ose diçka që kanë kërkuar. Ne duke qenë se për gati 40 ditë është periudhë kreshme, gjatë drekës së Krishtlindjes nuk mungon mishi. Unë çdo vit përgatis gjëra të ndryshme, por me bazën e mishit’, thotë zonja Lorena.

“Ne çdo vit e festojmë me persona të afërt”, thotë i zoti i shtëpisë.

“Jemi njohur në Kishë. Unë këndoj aty dhe të gjithë më dëgjojnë. Marr fjalë shumë të mira në fund. Unë rrjedh nga një familje e krishterë ortodokse në breza. Babai im ka kënduar në korin e Kishës në Korçë. Unë i kam përjetuar Krishtlindjet dhe në kohën e monizmit, kur feja u pezulla. Çdo zakon bëhej në mënyrë të fshehtë. Ne festonim në mënyrë të fshehtë. Unë kam humbur bashkëshortin, nuk kam fëmijë. Jetoj me qira dhe mbështetjen kryesore e kam pasur nga Kisha. Kur të më vijë dhe dita që të mbyll sytë, dua të dal nga Kisha. Është shumë e vështirë për moshn që kam, të kisha të paktën një shtëpi timen. Është e katërta herë që ndërroj shtëpi. Sot jam e ftuar te familja Leka dhe jam e kënaqur, ndihem e lumtur”, thotë zonja Shpresa.

Zonja Lorena Leka tregon edhe historinë e veçantë të njohjes me bashkëshortin e saj, Eltonin

“Jemi njohur në një mbrëmjeje krishtlindjeje. Kemi qenë në një party që bëhet pas festës së Krishtlindjes. Aty ka nisur dhe më pas ka vazhduar. Mendoj që Zoti na vendosi të dyve në të njëjtin moment. Burrat korçarë janë shumë romantikë. Eltoni është romantiku i familjes, unë jam më pak”, përfundon zonja Lorena./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re