BORANA DEMIRI

 

GAZETARE

 

“Ky dash është përzgjedhur nga një familje muslimane për tu flijuar sot, duke u bërë kështu në këtë Kurban Bajram, simbol i sakrificës, triumfit të së mirës ndaj të keqes dhe falenderimit ndaj Zotit.”

 

Duke i’u përmbajtur traditës profetike, mishi i kurbanit ndahet në tre pjesë, në mënyrë që gëzimi i festës të përfshijë jo vetëm familjarët dhe të afërmit por edhe njerëzit në nevojë.

 

Lindja e diellit i gjeti besimtarët në sheshin Skënderbej, aty ku u fal namazi i Bajramit.

 

Programi nisi me lexim Kur’ani, lutje si dhe mesazhe të rëndësishme nga prijësit fetarë. Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu theksoi se mesazhi që përcjell kurbani, është universal.

 

BUJAR SPAHIU

 

KRYETAR I KOMUNITETIT MYSLIMAN

 

“Nëpërmjet besimit njeriu nuk heq dorë nga asgjë, përkundrazi, nëpërmjet besimit ai merr gjithçka saktësisht në po atë masë që punon për të, madje punët e mira shpërblehen shumëfish. Kush bën mirë do ta marrë shpërblimin e asaj që ka bërë dhe e anasjellta. Kjo jetë nuk do t’i lerë kusur askujt, sepse Drejtësia Absolute nuk i mbetet borxh askujt! E gjithë çështja e njeriut qëndron tek e përkohëshmja dhe e pafundmja. Kush kupton këtë do të dijë t’i japë një kuptim jetës.”

 

Kreu i komunitetit adresoi edhe një lutje për Kosovën.

 

“ I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve.

 

I lutem Zotit që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballuar situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në Veri të Kosovës. I lutem Zotit që kombi ynë të përparojë në çdo aspekt.”

 

Për besimtarët, festa e kurban Bajramit shënon një moment të rëndësishëm që rikujton edhe njëherë dashurinë për njerëzoren, rëndësinë e ndihmës së ndërsjelltë dhe mbështetjen tek Zoti.

 

 “Gëzuar të gjithë besimtarëve, le të na bashkojë më shumë kjo festë.”

 

“Pas namazit ne mblidhemi në një drekë familjare dhe festojmë së bashku.”

 

“Zoti na dhëntë begati dhe vetëm të mira, të gjithëve.”

 

Dita e parë e Kurban Bajramit përkon edhe me përfundimin e pelegrinazhit të haxhit i cili është detyrim të kryhet të paktën një herë në jetë, nëse është e mundur. Këtë vit ritualit në Mekë i’u bashkuan 800 besimtarë nga Shqipëria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re