Subscribe

Besimtarët i janë drejtuar kishave për të kremtuar Krishtlindjen. Në kryeqytetin e festës, në Korçë qytetarët kanë mbushur katedralen “Ringjallja e Krishtit”.

Metropoliti i Korçës, Voskopojës dhe gjithë juglindjes ka uruar besimtarët e duke u dhënë mesazhin se Krishti ka sjellë paqen për gjithë botën.

“Me keqardhje shohim se në kohën e sotme paqja është pakësuar si ndërmjet individëve ashtu edhe brenda familjes. Nuk ka paqe as midis kombeve, ndërsa Perëndia na kërkon të punojmë për paqen”, tha Imzot Joan Pelushi.

Edhe në Shkodër atmosfera e Krishtlindjes është ndjerë në të gjithë qytetin. Mesha është drejtuar nga arqipeshkëvi Angelo Massafra, i cili tha se sot Krishtlindja nuk kuptohet nga të gjithë dhe është kthyer në komercialitet, kur ajo është krejt diçka tjetër.

“Është aq e vërtetë që kjo festë e lindjes së Jezusit  nuk pranohet më në kuptimin e saj origjinal por është bërë një gjë tregtare dhe jo besimi”, u shpreh Arqipeshkvi Angelo Massafra

Pas meshës besimtarët katolikë kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë mirësi e dashuri në familjet e tyre.

Krishtlindja është festuar edhe në shumë qytete të tjera të vendit, si Fier Elbasan, Durrës, Lezhë dhe Krujë. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re