Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico sqaroi në detaje detyrimin e ri nga qeveria për të vënë maska edhe në ambientet e jashtme. Fico tha në një dalje për mediat se gjoba për shkelësit e këtij rregulli do të jetë 30 mijë lekë të vjetër herën e parë dhe 50 mijë lekë për gabimin e përsëritur.

 

“Ju rikujtojmë se mbajtja e maskës është E DETYRUESHME në cdo ambient jashtë shtëpisë dhe moszbatimi I kësaj masë do të ketë penalitete sipas Aktit Normativ me 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë, dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur.”

 

Ajo listoi edhe kategoritë që përjashtohen nga detyrimi për të mbajtur maskën edhe jashtë.

 

“Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes*). Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës*). Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive. Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë. Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të. Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det. Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes. Atyre që për shkak të moshës, shëndetit ose për arsye të paaftësisë nuk bartin maskë, do t’u kërkohet dokumentacioni shëndetësor që verifikon statusin aspo vërtetimi respektiv.”

 

 

Albana Fico shtoi se maska do të mbahet edhe nga fëmijët mbi 11 vjeç. Ajo do të jetë e detyrueshme gjatë gjithë veprimtarisë jashtë banese, përveç rasteve të mësipërme.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re