Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të lënë në burg 30 vjeçarin i cili qëlloi me thikë nënën e tij. Ngjarja ndodhi pak më parë.

I penduar për aktin e tij të rëndë, Klodiani kërkoi nga trupi gjykues dënim maksimal për veten. Ai tregoi se kishte debatuar me të ëmën, kur kishte mbërritur në shtëpi në mëngjes, pas një nate të cilën e kishte kaluar jashtë banesës. Pas zënkës, i riu kishte marrë në dorë një thikë, për ta goditur nënën në qafë, bark e kofshë. Ai shpjegoi se kur e ka kryer krimin ka qenë nën efektin e alkoolit.

Nëna e të riut u shtrua në spital me plagë serioze. Fatmirësisht ajo është tashmë jashtë rrezikut për jetën.

Nëna e Klodianit jeton me vajzën, pasi i shoqi ka ndërruar jetë vite më parë. I biri kishte afro 20 ditë që ishte kthyer në Shqipëri, pasi punonte në Gjermani.

Fqinjët treguan për median ditën e ngjarjes se kishin mbetur të tronditur, pasi 30 vjeçari nuk kishte shfaqur kurrë shenja të sjelljes agresive apo problematike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re