Mbrëmjen e djeshme një aksident i rëndë mes dy makinave në aksin Levan- Fier, solli vdekjen e tre personave e plagosjen e tre të tjerëve.

54 vjeçari Sokrat Lelaj, oficer i FNSH-së, po udhëtonte me makinën e tij ‘Ford’ së bashku me të shoqen e vjehrrën e tij. Makina e oficerit të ndjerë u përplas nga një makinë të tipit Opel, e cila drejtohej nga një 43 vjeçar. Ky i fundit udhëtonte në makinë me të shoqen e vajzën e mitur.

Autoritetet raportuan këtë të premte se 43 vjeçari është arrestuar nën akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit”. Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një parakalimi të gabuar nga ana e 43 vjeçarit.

Përplasja ka qenë e fortë. Prej impaktit ndërroi jetë oficeri i FNSH-së dhe vjehrra 78 vjeçare. Më vonë si pasojë e plagëve, ndërroi jetë dhe bashkëshortja e oficerit. Fatbardha ishte 53 vjeçe. Burrë e grua ishin prindër të dy fëmijëve.

Ndërkohë në makinën tjetër, të lënduar mbetën veç shoferit 43 vjeçar edhe e shoqja e tij dhe vajza e mitur e çiftit.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin G. (M). S., 43 vjeç, banues në Cakran, Fier, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në datën 09.06.2022, rreth orës 20:20, në fshatin Buzëmadh, duke drejtuar automjetin tip “Opel Zafira”, është përplasur me automjetin tip “Ford”. Për pasojë është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit tip “Opel Zafira”, bashkëshortja e tij, shtetasja G. M. dhe vajza e tyre 6 vjeçe, si edhe kanë ndërruar jetë shtetasit S. L., F. L. dhe B. S., të cilët udhëtonin me automjetin tip “Ford”.”-njoftoi policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re