Një ngjarje tronditëse ka rikthyer vëmendjen e opinionit publik në Fier, ku sot është paraqitur përpara Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, 36-vjeçari Zamir Meta, i akuzuar për abuzim seksual ndaj vajzës së tij të mitur, vetëm 12 vjeçe.
Meta, baba i shtatë fëmijëve, është sjellë në ambientet e gjykatës nën masa të rrepta sigurie dhe pritet të japë dëshminë e tij para trupit gjykues. Gjatë hetimeve paraprake dhe dëshmisë së dhënë përpara Policisë, ai ka pranuar abuzimin, por ka deklaruar se ka ndodhur vetëm një herë.
Ngjarja e rëndë, e cila është zbuluar pas një denoncimi të bërë nga të afërm të familjes, ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim të thellë në opinionin publik, për shkak të natyrës tepër të rëndë të veprës penale dhe faktit që autori është babai biologjik i viktimës.
Prokuroria e Fierit ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa seanca pritet të vendosë për vijimin e qëndrimit të tij në paraburgim gjatë hetimeve.
Ndërkohë, vajza e mitur ndodhet nën kujdesin e strukturave të mbrojtjes së fëmijëve dhe mbështetjes psikologjike, ndërsa organet e drejtësisë po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe marrjen e të gjitha provave ligjore të nevojshme.