Për një orë aksi Fier- Seman ka qenë i bllokuar. Dhjetëra  banorë të njësisë administrative Dermenas dolën në protestë kundër Kompanisë TAP, makinat e së cilës kanë dëmtuar rrugën.
 
Sipas banorëve, mjetet e tonazhit të rëndë kanë shkatërruar asfaltin dhe askush nuk është kujtuar të rregullojë rrugën.
 
Kjo nuk është e para herë që banorë të zonës ngrihen në protestë për gjendjen e rrugës. Për të zgjidhur situatën, kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi, ka zhvilluar vazhdimisht takime me përfaqësues të TAP dhe i fundit ka qenë vetëm një ditë më parë.
 
Palët ranë dakord që TAP të paraqesë brenda kësaj jave projektin, i cili pasi të miratohet nga bashkia e Fierit, do të nisë zbatimin.
 
Kërkesa e bashkisë së Fierit ka qenë e qartë: TAP duhet të bëjë sistemimin e rrugës e më pas asfaltimin me një shtresë jo më të vogël se 10 cm asfalt në të gjithë gjatësinë e saj.
 
Ky aks lidh Fierin me bregdetin e Semanit dhe Darëzezës, parkun arkeologjik të Apolonisë dhe disa fshatra.
 
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re