Tetë  nënpunës të infektuar, 22 të tjerë në pritje të marrjes së tamponit dhe të karantinuar kanë bërë që Kadastra e Fierit të mbetet me vetëm 10 punonjës nga 40 gjithsej.

Burime për Abc News bëjnë me dije se tampon po u merren edhe punonjësve qe kane mbetur ne pune për të pare nëse janë infektuar ose jo. Kjo situatë pritet të vazhdojë për të paktën dy javë të tjera derisa të testohet edhe nënpunesi i fundit në zinxhirin e kontakteve të specialistit që solli koronavirusin brenda Kadastrës.

Rasti i parë me koronavirus aty u diagnostikua në 16 korrik. Ai kishte shfaqur simptomat disa ditë pasi ishte infektuar nga takimi me mikun e tij mjek në spitalin e Fierit. Ky i fundit mendohet të jetë infektuar në Vlorë te disa të afërm të tij. Në rastin e mjekut zinxhiri i kontakteve ishte i madh por jashtë spitalit, duke qënë se periudha para shfaqjes së simptomave kishte përkuar me ditët e pushimit.  Ai kishte qënë në punë vetëm një dite ndërkohë që kishte takuar miq e të afërm në Fier. Një prej tyre ishte edhe nën punësi i Kadastrës i cili gjithashtu infektoi persona të tjerë.

Disa ditë përpara shfaqjes së simptomave të koronavirusit si temperaturë e lartë dhe kollë, specialisti i Kadastrës së Fierit kishte qënë në një festë familjare ku si pasojë kishte infektuar edhe 5 persona të tjerë. Gjithashtu ai ka vazhduar punën në zyrë deri sa shfaqi vetë simptomat.

Drejtoria e Kadastrës nisi zbatimin e protokollit dhe udhezimeve te Ministrisë së Shëndetësisë duke vendosur në karantinë fillimisht 5 kolegët e zyrës së nënpunësit të infektuar, e kështu me rradhë deri në reduktimin e stafit me vetëm 10 specialistë.  Përhapja e virusit mes specialistëve në këtë institucion mendohet të ketë qënë e pashmangshme për faktin se shërbimet që ofron janë dokumenta që kalojnë për kontroll dhë verifikim dorë më dorë e më pas u kthehen qytetarëve të cilët gjithashtu janë ekspozuar ndaj virusit gjatë kësaj periudhe. Aktualisht Kadastra e Fierit ofron shërbimet e shpejta sic janë vërtetimet dhe dokumentacionin e kërkuar për llogari të policisë, gjykatës apo institucioneve të tjera. Pjesa tjetër e shërbimeve mund merret nëpërmjet zyrave të Adises apo portalit E Albania.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re