Gazmend Oketa, ish-një prej figurave të PD-së në vitet e qeverisjes 2005-2013, ministër Mbrojtjeje kur Shqipëria u fut në NATO, shpjegoi arsyet se përse vendosi të largohej nga politika aktive. I ftuar në Top Talk, ai i zbuloi “rrënjët” e zhgënjimit të tij vite më parë, te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, pas paktit Rama – Berisha.

“Vendimin për t’u larguar nga politika e kam marr më herët, por së fundmi është bërë publik. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, unë preferova të tërhiqesha nga politika. Ka vite që i gjithë sistemi po deformohet. Ka kohë që ka filluar deformimi i përfaqësimit të interesit publik. Me ndryshimin e kodit zgjedhor në vitin 2008, me kalimin nga një sistem mazhoritar i miksuar, kalimi në lista të mbyllura partiake. Hoqi mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, si dhe bëri që përfaqësuesit e politikës të zgjedhin një rrugë për ta pasur mirë me kryetarin e partisë përkatëse”, tha Oketa,dke qëndruar kështu në të njëjtën linjë kritike për ato ndryshime, siç dhe miku i tij, ish-presidenti Topi, me të cilin themeluan FRD-në.

Por Oketa ka zbuluar për opinionn dhe diç tjetër shumë të rëndësishme dhe që përbën një akuzë për ish-kryeminstrin Berisha, ndonëse për asnjë çast nuk e artikuloi emrin e tij në mënyrë kritike. I emëruar në krye të Mbrojtjes pas Gërdecit, pra në vend të Mediut, Oketa tha se pas asaj tragjedia nisi një tjetër raport me politikës dhe gjyqësorit.

“Çështja e Gërdecit nuk duhet trajtuar si një çështje e mirëfilltë politike. Është një çështje që filloi të shqyrtohej dhe brenda një muaj e gjysmë filluan ndryshimet Kushtetuese. Ndryshime të cilat, në rast se do të analizoni të gjithë ecurinë, patën një efekt negativ në sistemin e drejtësisë. Menjëherë filloi votimi i hapur i dekreteve. Filloi klasifikimi i sistemit gjyqësor në gjyqtarë që mund të bindeshin urdhrave politikë të mazhorancës së asaj kohe, siç edhe po ndodh edhe sot”, deklaroi njeriu që dikur bëri dhe zëdhënësit e PD-së.

Gazmend Oketa, durrsak, inxhiner me profesion, mbetet një ndër figurat më të pastra të ish-qeverisjes demokrate, i papërfolur për asnjë çështje apo aferë.    

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re