Fiks Fare solli këtë mbrëmje historinë e dhimbshme të një 33 vjeçari nga Shkodra i cili humbi jetën në punë.
Pas 16 vitesh punë në Ujësjellës Kanalizime Shkodër, Kleutos Çeliku, baba i dy djemve dhe fëmijë i vetëm, vdes nga asfiksia brenda një pusete. Ujësjellësi, fsheh dokumentacionin dhe pretendon që maska me bombël dhe aparati për matjen e gazrave nuk është një domosdoshmëri në të tilla raste, ndryshe nga çfarë thotë akti ekspertizës. Sipas aktit, Kleutosi ka humbur jetën nga asfiksia, dhe në procerverbalin e firmosur nga ai nuk rezulton të jetë pajisur as me maske me bombël dhe as me aparat për matjen e nivelit të gazrave.
Puseta ku ai ka hyrë, dhe ku rrezikoi të humbte jetën edhe një koleg i tij, ndodhet në unazën perëndimore të Shkodrës. Puseta është rreth 5 metra e thellë dhe pa shkallë për të zbritur. Në momentin që ka hyrë për të punuar, mos matja e nivelit të gazrave, mungesa e shkallëve dhe e maskës ka sjellë vdekjen e menjëhershme të tij.
Pensioni i caktuar nga shteti për fëmijët, është rreth 12 mijë lekë të reja. Me të cilat ushqehet nusja, fëmijët dhe dy prindërit e Kleutosit. Bashkia Shkodër, e cila ka në varësi UKSH-së i ka hequr së fundmi edhe ndihmën ekonomike. Ndihmë që e përfitonte nga fondet e bashkisë.
Në shtëpinë e të ndjerit, prej dy vitesh ka pllakosur zija. Nëna dhe babai me lot në sy, tregojnë se si vdiq djali i tyre, dhe se si po mundohet bashkia Shkodër dhe Ujësjellës Kanalizime Shkodër, të mbulojnë krimin. Me 12 mijë lekë të reja në muaj mbajnë frymën me bukë 5 veta, dhe presin ndihmë nga daja i Kleutosit.
Nëna e tij tregon me lot në sy, se si i biri punoi që në moshën 17 vjeçare pranë UKSH-së për të mbajtur familjen. Ajo shprehet për Fiksin se askush nuk erdhi ta ngushëllonte nga bashkia. “16 vjet në atë punë dhe nuk erdhi asnjë nga drejtuesit të paktën të na jepte kurajo pas vdekjes së tij. Por vetëm po mundohen të mbulojnë krimin dhe të na penalizojnë sa më shumë. Edhe atë pak ndihmë ekonomike na e hoqën” thotë ajo mes lotësh. Babai i Kleutosit thotë që drejtësinë për djalin e vetëm do ta kërkoj deri në Strasburg.
Sipas aktit të Eksperitizës shkaku i vdekjes së 33 vjeçarit ishte – asfiksia. Mungesa e aparatit të gazrave dhe maskës me bombël sollën vdekjen e menjëhershme të tij. Drejtori i UKSH-së Mark Molla shprehet për kamerën e Fiksit që këto dy mjete nuk janë domosdoshmëri.
UKSH sipas aktit të ekspertizes, po mundohet të fsheh ngjarjen duke mos dhënë ekspertëve as rregulloren e brendshme të Institucionit, ku dalin direkt përgjegjësit.
Daja e Kleutosit tregon për Fiksin, pusetën ku humbi jetën nipi. Me duar që i dridhen ai tregon se në atë pusetë nuk ka shkallë për të zbritur dhe kushtet në të cilat punonin nipi i tij, por edhe punonjësit e tjerë janë skandaloze. Ata nuk kanë mjetet e nevojshme të sigurisë në punë. Ai shprehet se pak ditë më parë, në Tiranë humbën jetën nga rënia nga skela dy persona, u arrestuan menjëherë Drejtuesi Teknik dhe Administratori. “Këtu, në një firmë shtetërore humb jetën një djalë 33 vjeç, dhe asnjë nuk është i arrestuar apo i ndaluar. Askush deri tani s’po mban përgjegjësi për vdekjen e tij”- thotë daja, duke mbyllur pusetën ku humbi jetën nipi i tij./Top Channel/