Filipinet njoftuan se kanë anuluar zyrtarisht kontratën prej 227 milionë dollarësh me Rusinë për blerjen e 16 helikopterëve transportues ushtarakë.

“Ministria zyrtarizon përfundimin e kontratës me SOVTECHNOEXPORT LLC të Rusisë për blerjen e 16 helikopterëve të rëndë Mi-17 për Forcën Ajrore Filipinase”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Filipineve, Arsenio Andolong.

Ai theksoi se po përgatiten të fillojnë dialog diplomatik me palën ruse për çështjet që dalin nga anulimi i kontratës prej 227 milionë dollarësh.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Delfin Lorenzana tha se vendimi për anulimin e kontratës ishte marrë për shkak të shqetësimeve mbi sanksionet e SHBA-së, teksa vazhdon lufta midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lorenzana tha se nuk ishte i sigurt nëse qeveria do të ishte në gjendje të rikuperonte paradhënien prej 2 miliardë peso (36 milionë dollarë) që pagoi për kontratën në fjalë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re