Një anije transporti që mban mijëra ton mbeturina të hedhura në Filipine nga Kanadaja pesë vjet më parë, është duke u kthyer mbrapsht në Kanada, pasi Filipinet dhe shtetet në rajon po refuzojnë të shërbejnë si deponi për shtetet më të pasura.

69 kontejnerë të mbeturinave të kalbura u ngarkuan në portin Subic Bay në orët e hershme të së premtes, përpara se të niseshin për një udhëtim 20-ditor drejt Vancouver-it.

“Ba bye, siç themi ne,” shkroi në Twitter Sekretari i Jashtëm i Filipineve Teodoro Locsin, ku kishte bashkangjitur fotografitë e largimit të anijes.

Aktivistët e mjedisit, duke përfshirë ata të Koalicionit Greenpeace dhe EcoWaste, mirëpritën vendimin, duke thënë se Filipinet nuk janë deponi për hedhjen e mbeturinave.

Tension diplomatik

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, kishte kërcënuar se do të largonte me forcë mbeturinat, të cilat zyrtarët thanë se u transportuan në Filipine në 103 kontejnerë, ndërmjet viteve 2013 dhe 2014, dhe u deklaruan në mënyrë të rreme si mbetje plastike të riciklueshme.

Disa kontejnerë të mbeturinave ishin ricikluar, duke përfshirë edhe disa mbetje të materialeve elektro shtëpiake. Në drejtim të Kanadasë janë nisur mbetjet e kalbura, përfshirë ato të pelenave të përdorura.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re