Nga mesi i vitit 2015, Danish Mirza erdhi nga Pakistani në Gjermani
dhe shtroi kërkesë për azil. Ai mësoi gjermanisht dhe gjeti madje edhe
mbështetje tek një shoqatë e badmintonit. Dëftesa pakisteneze e
infermierit dhe një shkollë kualifikimi në Gjermani e ndihmuan atë të
bënte një praktikë dhe në fund të merrte një kontratë pune fikse në një
azil pleqsh. Pas dy vitesh përvojë pune, ai dëshiron të kryejë tani një
shkollim si infermier i specializuar. Për Mirzan raportuan mediat
gjermane, sepse ai ia paraqiti personalisht shqetësimet e tij kancelares
Merkel në fund të prillit, në dialogun me qytetarët në Shvedt,
Brandenburg. Aty Merkel bëri të ditur, se që këtë vit do të marrë udhë
një ligj që i kushtohet azilit dhe forcave të kualifikuara. Të premten
(07.06) Bundestagu miratoi paketën e migrimit.

Këtu bën pjesë
edhe ligji „për kthimin e kontrolluar”, të cilin jo vetëm Jörg
Schindler, drejtor federal ekzekutiv i Të Majtëve e quajti „shkelje të
paralajmëruar të kushtetutës”. Sanksionimet e parashikuara aty, mes tyre
edhe shkurtimi i ndihmave sociale në rast të mungesës së kooperimit,
thjeshtimet e rregullave për dëbimin dhe akomodimi i të ndaluarve për
dëbimin në burgje, janë për shumë vetë jo të pajtueshme me ligjin
gjerman.

Edhe bukë edhe kërbaç

Bundetstagu miratoi paketën e migrimit dhe ashpërsimin e të drejtës së azilit

Nga
ana tjetër, ligje të tjera të kësaj pakete migrimi do t‘i lehtësojnë
forcat punëtore nga jashtë që të integrohen në tregun gjerman të punës –
kjo jo vetëm për azilkërkuesit në Gjermani, por edhe për ata njerëz, që
aplikojnë për vizë pune në një vend të tretë.

Paketa ligjore e
miratuar në Bundestag të premten, sipas Helen Schwenken, studiuese e
migrimit në Universitetin e Osnabrykut është kundërthënëse: „Në njërin
ligj thuhet, se ne duam të të kemi ty, në një ligj tjetër vendosen
pengesa kaq të larta, saqë gati do bëhet e pamundur, që të futesh në
këtë leje të përkohshme qëndrimi për shkollim profesional apo punësim.

Leja
e përkohshme (duldung) e qëndrimit ekzistonte edhe më parë: Azilkërkues
të refuzuar që provonin, se kishin një vend shkollimi profesional, kanë
të drejtë të kërkojnë që për kohën e shkollimit të marrin leje të
përkohshme, nëse plotësohen disa kushte. Këtë leje e merr kush nuk vjen
nga një „vend i sigurtë origjine”, nuk ka kryer vepra penale dhe nuk e
ka fshehur identitetin. Pas kësaj shanset për një leje pune dhe qëndrimi
dy vjeçare janë të mira

A po kthen Gjermania „të gabuarit”?


Dhomën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, DIHK parimisht vlerësohet
si pozitive që azilkërkuesit të kenë shanse të mira për t’u futur në
tregun gjerman të punës. Në fund të vitit 2018, afër 400.000 vetë,
sidomos ata që erdhën si refugjatë në vitin 2015 kishin gjetur një vend
pune apo shkollimi profesional. Constantin Bräunig, nga rrjeti i DIHK,
„Firmat integrojnë refugjatët” është i mendimit, se ligjet e reja të
paktën një pjesë të refugjatëve do mund ta ndihmojnë për qëndrim të
rregullt në Gjermani. „Sigurisht mbetet pyetja, nëse aspekte të caktuara
janë vërtet stimuluese: Nëse krijohen afate pritjeje, atëherë kjo është
kundraproduktive, njerëzit që kanë një punë t’u mundësohet edhe
qëndrimi.” Bräunig thekson, se nëse një kërkesë azili është refuzuar dhe
kjo ka hyrë në fuqi, duhet që personat „e detyruar për largim” të
tolerohen (me leje të kufizuar-duldung) fillimisht 3, ose 12 muaj derisa
të kenë të drejtë për një leje qëndrimi për shkollim profesional apo
punësim. Ministri i Punës, Hubertus Heil, SPD, tha në vitin 2018, se ka
„ndjesinë se kthehen ata që nuk duhen larguar nga Gjermania.”

Avokatë
dhe ekspertë raportojnë, se pjesërisht azilkërkuesit e integruar mirë
kthehen, thjesht, sepse gjenden më kollaj, se ata që kanë kaluar në
ilegalitet. Edhe tek DIHK kanë dëgjuar raste për personat që duhet të
largohen e që merren nga vendi i punës me policë. Raste të veçanta,
sipas Bräunig, por që kanë ndodhur.

Ndërrimi i „korsisë” nuk bëhet më i lehtë

Kjo
mund t’i ndodh edhe Danish Mirzas. „Kuota e njohjes së azilit për
azilkërkuesit nga Pakistani nuk është shumë e lartë, thotë studiuesja
Schwenken. „Kushtin për një leje të përkohshme për shkak të shkollimit
sipas ligjeve të reja ai e përmbush më së hershmi tre muaj pas refuzimit
të kërkesës për azil.”

Për kaq kohë ai duhet të shpresojë për
duldung, që e vendosin zyrat e të huajve. As ligji i imigrimit të fuqisë
punëtore, me të cilin punëtorë nga vende të treta më shpesh do të duhet
të marrin një leje qëndrimi të pakufizuar, nuk e ndihmon Mirzan, nga
pikëpamja e sotme, sepse ai ka hyrë në shërbimin infermierik pa provime e
kështu nuk i përmbush kushtet, mendon ekspertja. Pra ndërrimi i
korsisë, kalimi nga një procedurë azili tek viza e punës është i
vështirë.

Mirza vetë argumentoi para Merkelit jo me nene, por me
arsyen e ftohtë njerëzore: Shteti gjerman ka investuar ndërkohë shumë
para për të dhe komuna në Shvdet po ashtu ka pasur shumë angazhim, që
një ditë ai të dëbohet. Merkel tha, se bëhet fjalë për një „rast tipik”
të cilin ajo do ta përfshijë në bisedime. Megjithatë ndërrimi i korsisë –
nga azilant në të punësuar nuk është futur në paketën e migrimit. „Një
shans i humbur, që u mundësonte një numri të madh njerëzish ndërrmin e
qëndrimit.” Por sipas Schwenken, kushtet për këtë janë kaq forta, saqë
kjo nuk ka për t’u realizuar.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re