Në Shqipëri ka filluar “Shkolla Rinore Ballkanike 2021”, organizuar nga Shoqata e të Diplomuarve në Turqi e Shqipërisë në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin ambasadori i Turqisë në Tiranë Murat Ahmet Yörük, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë Ömer OsmanDemirbaş, kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi (TUMED) Egert Haxhiu dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori Yörük mbajti seminarin e parë me temë “Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi; Ndikimi i pandemisë në aspektin sociologjik në shoqërinë shqiptare”.
Ai theksoi se mes Shqipërisë dhe Turqisë ka një lidhje shumë të thellë dhe sipas tij marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të rëndësishme.
Duke iu drejtuar të rinjve pjesëmarrës, ambasadori turk theksoi se “Ashtu siç e kam thënë, vazhdoj ta them që me të vërtetë lidhja mes Shqipërisë dhe Turqisë është shumë e rëndësishme, është shumë ndryshe nga lidhjet e tjera. Është diçka që ka filluar me kulturën, historinë tonë dhe ka disa përfaqësime të tjera dhe kështu ka vazhduar me shekuj të tërë përpara. Kjo është një lidhje farefisnore, lidhja jonë, lidhja midis dy shteteve. Ne kemi patur lidhje edhe më përpara dhe tani jemi bërë si mish e thua”.
Ai u shpreh se mes dy vendeve ka shumë gjëra të përbashkëta, “qoftë për pjesën kulturore, qoftë për pjesën ushtarake dhe diplomatike. Të gjitha lidhjet ne i kemi përforcuar. Momentalisht në Shqipëri ka 600 kompani turke dhe që kanë punësuar 15 mijë njerëz”.
Ambasadori Yörük theksoi se Turqia ka qenë pranë popullit shqiptar duke e ndihmuar edhe në aspektin ushtarak dhe shtoi se populli turk e mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Ai foli edhe për organizatën terroriste FETO dhe strukturën e saj, e cila organizoi tentativën për grushtshteti në Turqi, duke theksuar se në momentin e parë që ata do të kenë mundësi apo do t’u cenohet diçka e tyre, “ata mund të kthehen në një makinë kriminale e këtij vendi”.
Ambasadori theksoi se i gjithë populli turk atë natë mbushi rrugët e sheshet për të penguar grushtin e shtetit, duke theksuar se ky lloj terrorizimi është gjenerata e re e terrorizmit.
“Në sektorë të ndryshëm në Shqipëri ata (FETO) janë të pranishëm dhe punojnë akoma. Tani ata janë edhe në fushën e shëndetësisë, në fushën e ekonomisë, medias dhe në fushën e arsimit. Si rini e këtij vendi duhet të jeni të vëmendshëm dhe t’i kushtoni rëndësi dhe ta kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë me këto raste, me këtë situatë që ndodhemi”, u shpreh ambasadori Yörük, duke shtuar se duan që populli shqiptar të marrë masa që mos të përjetojnë të njëjtën gjë.
Ndërsa Kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi (TUMED), Egert Haxhiu, gjatë fjalës në aktivitetin e hapjes, duke falënderuar pjesëmarrësit u shpreh se ata synojnë dhe shpresojnë që si shoqatë të forcojnë lidhjet me Turqinë.
Seminaret ku marrin pjesë të rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri do të zhvillohen për 6 javë radhazi dhe projekti “Shkolla Rinore Ballkanike” konsiston në organizimin e një cikli seminaresh me karakter trajnues, ku trajtohen tematika kulturore, fetare, filozofike, historike dhe të tjera.
