Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, bëri me dije të enjten se bisedimet midis zyrtarëve turq dhe amerikanë kanë filluar në Uashington, ku do të diskutohen shumë çështje duke përfshirë Sirinë dhe operacionin ushtarak që Turqia vazhdon në Afrin.

“Sot është dita e parë që administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarët turq takohen për të diskutuar se çfarë është rënë dakord kur sekretari (Rex) Tillerson u takua me homologun e tij turk, (Mevlut) Çavusoglu, në Stamboll, disa javë më parë”, u tha gazetarëve Heather Nauert në një konferencë të përditshme për shtyp duke iu referuar të parit mes tri komisioneve teknike ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së, ngritur për të zgjidhur çështjet midis dy vendeve.

Gjatë vizitës në Turqi të sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, më 15-16 shkurt, u formuan tri mekanizma ndërmjet Ankarasë dhe Uashingtonit me synimin për të kontribuuar në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe tejkalimin e çështjeve që lidhen me Sirinë, organizatën terroriste gyleniste (FETO) dhe Irakun.

“Ky është një takim hyrës, ku mund të fillojmë të shpresojmë se do të përpunojmë disa nga këto çështje”, shtoi Nauert.

Siç të gjithë e dini – vijoi ajo – ne kemi shumë çështje për të diskutuar dhe shpresojmë që mund të bëjmë sot një farë përparimi në atë nivel.

E pyetur nëse Uashingtoni është i gatshëm të ushtrojë presion mbi Ankaranë për të ndalur operacionin në Afrin, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit tha se nuk do të ishte një surprizë nëse kjo çështje përfshihej në agjendën e bisedimeve.

Ajo njoftoi gjithashtu se Departamenti ka në plan të nxjerrë një deklaratë të shkruar në lidhje me takimin, ku morën pjesë rreth 20 zyrtarë të SHBA-së, të udhëhequr nga nënsekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell.

Nga pala turke, zëvendësnënsekretari i Ministrisë së Jashtme, Sedat Onal, udhëheq komitetin për Sirinë, zëvendësnënsekretari Cihad Erginay komitetin për FETO-n dhe drejtori i përgjithshëm për Azinë Jugore në Ministrinë e Jashtme, Fazli Corman, komitetin për Irakun.

Sipas zyrtarëve turq, agjenda parësore e komitetit për Sirinë është kërkesa e Turqisë për të spastruar YPG-në, fraksioni i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri, nga Menbixhi, qytet verior sirian që shtrihet në perëndim të lumit Eufrat.

Komiteti për FETO-n do të diskutojë çështjet e lidhura me organizatën terroriste në fjalë, si dhe do të fokusohet gjithashtu në blerjen nga Turqia të sistemit raketor rus S-400, çështjet e migracionit dhe vizave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re