Me vendim Nr. 144, Datë 21 / 03 /2018 Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi projektin ” Restaurimi i Kishës së Shën Nikollës, Lagjia, Kala – Berat ” . Projekti i hartuar nga DRKK – Berat me mbështetjen edhe të instancave qëndrore të specializuar si IMK dhe KKR i hap rrugën tashmë zbatimit të punimeve të restaurimit me specialistët e ateliesë duke restauruar plotësisht një monument që prej shumë kohësh ishte në listën e objekteve të rrezikuara për shembje dhe degradim total.

Ndërhyrjet e restaurimit konsistojnë në punimet për konstruksionin e çatisë, zbërthimin me kujdes të elementëve të saj, zëvendësimin e trarëve dhe elementëve përbërës së strukturës, petavrim, hidroizolimin dhe mbulimin me tjegulla vendi. Gjithashtu do të trajtohen murret e brendëshme duke restauruar pjesët e degraduara me llaç – gëlqere dhe më pas trajtimin e tyre me shërbet gëlqere.

Tavani do të zbërthehet me kujdes dhe do të trajtohet duke restauruar me kujdes elementin e rozetës në qendër të saj. Kjo e fundit do të rilevohet me kujdes gjatë punimit dhe do ti kryet një projekt i veçantë për restaurimin e pjesëve të ornamentikës prej druri nga specialistë të sektorit të artit dhe mjeshtrat marangozë. Përpara ndërhyrjes projekti i kësaj të fundit do të konsultohet me sektorët përkatës në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Në pjesën e jashte do të ketë ndërhyrje në pastrimin e inerteve, eleminimin e bimësisë të ulët e të lartë të cilat kanë prekur konstruksionin e monumentit, injektimin, plotësimin me elementin lidhës llaç – gëlqere e stazhonuar në pjesët e degraduara , qepjen e muraturës me kujdes për të eleminuar çarjen vertikale të lokalizuar në një pjesë të fasadës, pastrimin e qemerit të portës dhe muraturës së gurit të fasadave dhe absidës nga gëlqerja me qëllim nxjerrjen në pah të sipërfaqes së gurit dhe leximin e qartë të fugave llaç- gëlqere qull e stazhonuar.

Nga DRKK Berat

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re