2 prill -Vaksinimi masiv po vijon në qendrat e qyteteve e gjithashtu edhe në qendrat shëndetësore në fshatra, afër vendbanimit për gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Berat ku vizitoi qendrën e vaksinimit të të moshuarve. Të moshuarit falënderuan kryeministri Rama për mundësimin e vaksinimit përpara shumë vende të tjera të botës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se, “në Berat ne qendrën e vaksinimit masiv kemi filluar me gjyshet dhe gjyshërit tashmë prej disa ditësh. Në total janë vaksinuar më shumë se 3 mijë gjyshe dhe gjyshër. Sot do të mbërrijmë në shifrën e 100 mijë vaksinime, vetëm tek grupmosha e plus 70 vjeçarëve”.

Ndërkohë që, theksoi Manastirliu, “përgatitemi nga nesër të vaksinojmë policinë dhe gazetarët”.

“Nga nesër fillojmë vaksinimin e efektivëve të Policisë, fillojmë me Tiranën, pastaj shtrihemi në të gjithë Shqipërinë. Dhe gjithashtu edhe të gazetarëve të terrenit. Kryesisht ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar. Pra në grupet e rriskut, ku futeshin dhe ata të shërbimeve kritike, pra personat që punojnë në shërbimet kritike, janë edhe këto dy kategori, të cilat vijojmë me vaksinimin duke filluar nga nesër me policët dhe nga sot në drektë me gazetarët dhe operatorët e terrenit. Sigurisht pastaj vijojmë me të moshuarit sipas planit tonë të vaksinimit”, tha Manastirliu.

Ndërsa kryeministri Rama tha se, “dua ta përsëris që të mos bjerë askush viktimë e hienave dhe kukuvajkave. Vaksina e ardhur nga Turqia, e kompanisë kineze Sinovac, është një vaksinë e super suksesshme, e cila faktikisht, Turqinë po e nxjerr përditë e më shpejt nga tuneli i pandemisë, e cila është vaksina që kanë preferuar vendet e pasura të Lindjes së Mesme dhe të gjitha kurorat Mbretërore të asaj zone kanë marrë këtë vaksinë e cila bëhet në shumë shtete. Dhe fakti që nuk ka hyrë në BE, nuk ka lidhje me efiçencën e vaksinës, por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër, që ne nuk na interesojnë dhe nuk na prekin, pasi ne na intereson të nxjerrim urgjent nga tuneli, popullin shqiptar dhe të nxjerrim sa më shpejt nga gjithë kjo kohë e gjatë ankthi dhe pasigurie gjyshërit dhe gjyshet, ata me sëmundje kronike, grupet e rriskut dhe të gjithë popullsinë”.

“Kështu që nesër siç tha ministrja fillojmë me efektivët e Policisë. Do të bëjmë siç është plani i kombinuar edhe për gazetarët e terrenit dhe ndërkohë po bëjmë gati listat për stafet e shërbimeve hoteliere për sezonin si dhe për të gjitha punonjëset dhe për të gjithë punonjësit e fabrikave material porositëse”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re